Belgjikë – Vaksinohen plotësisht mbi 70% e të rriturve, qeveria lehtëson më tej masat antiCOVID

Qeveria e Belgjikës ka lehtësuar më tej masat parandaluese kundër përhapjes së pandemisë teksa shkalla e personave të vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në vend kaloi pragun 70%.

1683282
Belgjikë – Vaksinohen plotësisht mbi 70% e të rriturve, qeveria lehtëson më tej masat antiCOVID

Kufizimi i numrit maksimal të klientëve nëpër dyqane dhe qendra tregtare është hequr plotësisht.

Gjithashtu janë zbutur masat për ngjarje të tilla si organizime kulturore, shfaqje ose evenimente sportive, si dhe është vendosur që hapësirat e mbyllura me kapacitet deri në 3.000 persona të funksionojnë me kapacitet të plotë, por duke zbatuar rregullat e mbajtjes së maskës dhe distancës.

Për më tepër, masat janë lehtësuar edhe për organizimet në hapësira të hapura me pjesëmarrje deri në 5.000 persona.

Që nga 13 gushti, vizitorët që tregojnë biletën e njohur si “Covid Safe Ticket”, e cila vërteton se janë plotësisht të vaksinuar, kanë një rezultat negativ duke bërë një test PCR brenda 48 orëve ose janë shëruar kohët e fundit nga sëmundja, do të jenë në gjendje të marrin pjesë në organizimet në natyrë.

Panairet tregtare, dasmat, festat dhe pritjet gjithashtu do mund të mbahen me një kapacitet deri në 250 persona.

Edhe aktivitetet rinore, të tilla si kampet, do mund të zhvillohen me një kapacitet maksimal prej 200 vetash.

Pas fushatës që shënoi vaksinimin e mbi 70% të personave të rritur në Belgjikë, numri i vdekjeve duket se ka rënë në mënyrë drastike në vend.

Në fillimet e fushatës së vaksinimit gjatë ditëve të para të shkurtit, numri i rasteve ditore u rrit në 2.000 dhe në mars në 5.000. Në mes të shkurtit, Belgjika kishte çdo ditë rreth 30 të vdekur për shkak të virusit, kurse në mars rreth 25.

Edhe pse rastet ditore janë aktualisht gati 1.500, numri i personave që humbin jetën nga pandemia, ka rënë deri në 2 persona në ditë.

Qeveria belge e nisi lehtësimin e kufizimeve në fillim të qershorit duke rihapur shumicën e ambienteve të mbyllura.



Lajme të ngjashme