Tunizi – Lëvizja Ennahda dhe Partia Zemra e Tunizisë nën hetim për “marrje fondesh të huaja”

Në Tunizi ka filluar hetim kundër partive Ennahda dhe Zemra e Tunizisë me akuzat për “marrje fondesh të huaja” gjatë fushatës së vitit 2019 për zgjedhjet parlamentare.

1681761
Tunizi – Lëvizja Ennahda dhe Partia Zemra e Tunizisë nën hetim për “marrje fondesh të huaja”

Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tunis, Mohsen al-Dali, bëri me dije se më 14 korrik është hapur një hetim për akuzën e “marrjes së fondeve të huaja”.

Mohsen al-Dali deklaroi se hetimi përfshin Lëvizjen Ennahda, e cila ka 53 deputetë në Parlamentin me gjithsej 217 anëtarë, Partinë Zemra e Tunizisë me 28 deputetë, si dhe Shoqatën “Aish Tounsi”, e cila ka vetëm 1 deputet.

“Dënimet në raste të tilla janë në përputhje me jurisprudencën e gjyqtarëve dhe mund të arrijnë deri në ndalimin e udhëtimit, arrestimin dhe ngrirjen e fondeve”, shtoi ai.

Lëvizja Ennahda, Partia Zemra e Tunizisë dhe Shoqata “Aish Tounsi” e kanë mohuar më parë të kenë marrë fonde të huaja.

Më 25 korrik, Presidenti Kais Saied i Tunizisë shkarkoi qeverinë e Kryeministrit Hichem Mechichi, pezulloi të gjitha kompetencat e Parlamentit dhe mori pushtetin ekzekutiv me ndihmën e një kryeministri të ri.

Ky vendim u refuzua nga shumica e blloqeve parlamentare të Tunizisë duke përfshirë Lëvizjen Ennahda, Partinë Zemra e Tunizisë, Koalicionin e Dinjitetit dhe Lëvizjen Popullore.

Lideri i Lëvizjes Ennahda dhe njëherësh Kryetari i Parlamentit të Tunizisë, Rached Ghannouchi, e cilësoi lëvizjen e Presidentit Saied si asgjë tjetër përveçse një “grusht shteti i plotë” kundër rendit kushtetues, revolucionit dhe lirive.

Tunizia shihet si i vetmi vend që ka arritur të realizojë një tranzicion demokratik në mesin e vendeve arabe, të cilat ishin skenë e revolucioneve popullore që rrëzuan regjimet e tyre, përfshi këtu Egjiptin, Libinë dhe Jemenin.



Lajme të ngjashme