Rusia reagon ndaj kritikave të Presidentit Biden: Po e kaloni kufirin!

Kremlini iu përgjigj të mërkurën kritikave të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në drejtim të homologut të tij rus, Vladimir Putin.

1681742
Rusia reagon ndaj kritikave të Presidentit Biden: Po e kaloni kufirin!

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se deklarata e Bidenit kinse Rusia ka vetëm armë bërthamore e naftë është e gabuar.

“Ju (Biden) keni informacion jo të plotë për Rusinë dhe me fjalët tuaja po e kaloni kufirin”, u shpreh ai.

Duke risjellë në vëmendje se ai ishte takuar me Vladimir Putinin në një samit të mbajtur në Gjenevë të Zvicrës më 16 qershor, Joe Bideni pati thënë: “Kur u takova me Putinin, kuptova se ai ka një problem të vërtetë. Ai drejton një ekonomi që ka armë bërthamore dhe asgjë tjetër përveç të ardhurave nga nafta. Ata nuk kanë asgjë tjetër. Putini e di që është në telashe të vërteta dhe unë mendoj se kjo e bën atë shumë më të rrezikshëm.”

Peskovi theksoi se Bideni e bëri këtë fjalim gjatë vizitës së tij në Drejtorinë e Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe kishte për qëllim të linte një përshtypje të mirë.

Gjatë vizitës së tij në DNI, kreu i Shtëpisë së Bardhë u mburr se shërbimet e inteligjencës amerikane ishin superiore ndaj atyre ruse.

Dmitry Peskovi vuri në pah se SHBA-ja është rivale e Rusisë, edhe pse përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve vazhdojnë.

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe rusë vijojnë bisedimet mbi stabilitetin strategjik bërthamor.



Lajme të ngjashme