Bashkimi Evropian bën thirrje për respektimin e kushtetutës në Tunizi

Bashkimi Evropian bëri thirrje të hënën për respektimin e kushtetutës, institucioneve kushtetuese dhe sundimit të ligjit në Tunizi, ku presidenti i vendit shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi parlamentin.

1680461
Bashkimi Evropian bën thirrje për respektimin e kushtetutës në Tunizi

“Ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet e fundit në Tunizi dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve tunizianë që të respektojnë kushtetutën, institucionet kushtetuese dhe shtetin e së drejtës”, deklaroi Nabila Massrali, një zëdhënëse e Komisionit të BE-së, për Agjencinë Anadolli (AA).

“Ne gjithashtu u bëjmë thirrje atyre që të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo përdorim të dhunshëm për të ruajtur stabilitetin e vendit”, shtoi ajo.

Kurse zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Maria Adebahr, në një dalje publike në kryeqytetin Berlin të vendit, u shpreh e shqetësuar për pezullimin e parlamentit në Tunizi.

Duke bërë thirrje për një kthim të shpejtë në rendin kushtetues demokratik në vend, Adebahr deklaroi se ata besojnë që demokracia duhet të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne i nxisim të gjitha palët që të sigurojnë mbrojtjen dhe zbatimin e kushtetutës, kjo përfshin të drejtat dhe liritë civile për ne”, tha ajo.

Maria Adebahr po ahtu bëri thirrje për dialog konstruktiv midis udhëheqësve të organeve kushtetuese të vendit për të përshpejtuar reformat politike dhe ekonomike në Tunizi.

Kundër grushtit të shtetit në Tunizi reagoi edhe Unioni Botëror i Dijetarëve Islamë (IUMS).

“Ndërmarrja e hapave të njëanshme përmes një grushti shteti kundër vullnetit dhe institucioneve të zgjedhura të tunizianëve është një punë e rrezikshme; nuk është e lejueshme nga pikëpamja fetare, morale dhe zakonore”, u tha në një deklaratë me shkrim të IUMS-së.

Duke i bërë thirrje Presidentit tunizianm Kais Saied, që të “hidhte një hap prapa nga vendimet e tij”, Unioni Botëror i Dijetarëve Islamë vlerësoi se këto vendime do të kontribuonin në thellimin e kaosit dhe trazirave në vend.

Deklarata i bëri thirrje gjithashtu popullit tunizian që “të ruajë arritjet dhe lirinë e tij, të mos pranojë kthimin në diktaturë dhe të arrijë një konsensus për të mbrojtur vendin nga rreziqet e mundshme që mund të çojnë në ndasi dhe kaos”.

Ish-presidenti i IUMS-së, Yusuf al-Qaradawi, po ashtu deklaroi se grushti i shtetit në Tunizi është katërçipërisht i papranueshëm.



Lajme të ngjashme