Franca i kërkon Izraelit shpjegim zyrtar për softuerin spiun “Pegasus”

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka kërkuar Kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, një shpjegim zyrtar mbi softuerin spiun “Pegasus” të prodhuar nga kompania “NSO Group” me seli në Izrael.

1679775
Franca i kërkon Izraelit shpjegim zyrtar për softuerin spiun “Pegasus”

Siç bën të ditur televizioni izraelit “Channel 12”, Emmanuel Macroni dhe Naftali Bennetti kanë realizuar të shtunën një bisedë telefonike, gjatë të cilës presidenti francez i shprehu kryeministrit izraelit shqetësimin e tij duke i kërkuar atij një shpjegim zyrtar në lidhje me çështjen.

Bennetti i premtoi Macronit se çështja do të hetohet në nivelin më të lartë dhe se rezultatet e kërkuara do të shpallen së shpejti.

Ai gjithashtu sqaroi se incidenti ka ndodhur para fillimit të mandatit të tij si kryeministër dhe se qeveria aktuale është informuar për çështjen nga lajmet në shtyp.

Kurse gazeta izraelite “Yediot Ahronot” shkroi se Franca dëshiron të dijë nëse Izraeli ka hapur aktualisht një hetim ndaj kompanisë së quajtur “NSO Group”, e cila është e specializuar në softuerët spiunë (spyware), dhe nëse vendi synon ose jo të ndërmarrë veprime ligjore kundër sipërmarrjes së lartpërmendur në rast se zbulohen parregullsi në shitjen e programit kompjuterik në fjalë.

Në mars të vitit 2019 u pretendua se shërbimi inteligjent maroken ka bërë përpjekje për të gjurmuar me programin “Pegasus” një nga telefonat inteligjentë që Macroni përdor nga viti 2017 e këtej përgjithësisht për të komunikuar me gazetarët.

Krahas Presidentit Macron, ka pasur përpjekje për të përgjuar edhe telefonat e mbi 100 njerëzve të tjerë me influencë në Francë, përfshi këtu ish-kryeministrin Edouard Philippe, zyrtarë të qeverisë dhe gazetarë.

Pretendohet se të paktën 10 qeveri, mes të cilave spikasin ato të Bahrejnit, Kazakistanit, Meksikës, Marokut, Azerbajxhanit, Hungarisë, Indisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ishin klientë të “NSO Group” dhe se softueri spiun i kompanisë në fjalë u përdor për të vënë në shënjestër aktivistë, gazetarë, avokatë dhe politikanë.

Ky “spyware” thuhet se mund ta transformojë një telefon në pajisje mbikëqyrjeje/përgjimi duke mundësuar qasje në mesazhet, kamerat, regjistrimet audio dhe aplikacionet.



Lajme të ngjashme