Philippe Leclerc: Turqia vendi i vetëm në botë që mirëpret 4 milionë refugjatë

Philippe Leclerc, përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Turqi tha se për sa kohë që ka konflikte, refugjatët do të ekzistojnë gjithashtu.

1663298
Philippe Leclerc: Turqia vendi i vetëm në botë që mirëpret 4 milionë refugjatë

Philippe Leclerc, përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në Turqi tha se për sa kohë që ka konflikte, refugjatët do të ekzistojnë gjithashtu.

Philippe Leclerc iu përgjigj pyetjeve të Agjencisë Anadolu (AA) me rastin e "Ditës Botërore të Refugjatëve".

Leclerc deklaroi se viti i kaluar ishte viti i 9-të i një rritjeje të pandërprerë të zhvendosjes së detyruar në të gjithë botën.

"Sipas raportit të fundit vjetor të Trendeve Globale të UNHCR-s, pavarësisht nga epidemia e llojit të ri të koronavirusit, numri i njerëzve që ikin nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut është rritur në rreth 82.4 milionë në vitin 2020", tha ai.

Leclerc vuri në dukje se djemtë dhe vajzat nën moshën 18-vjeç përbëjnë 42 për qind të të gjithë njerëzve të zhvendosur me forcë.

Më shumë se dy të tretat e njerëzve të detyruar të largohen nga vendet e tyre erdhën vetëm nga Siria, Venezuela, Afganistani, Sudani i Jugut dhe Mianmar, tha Leclerc.

Ai theksoi se Turqia ka pritur më së shumti refugjatë në botë për 7 vjet me radhë, rreth 4 milionë, përfshirë afërsisht 3.7 milionë sirianë.

"Për sa kohë që ka konflikte, do të ketë situata refugjatësh. Përfundimi i situatave të refugjatëve kërkon zgjidhje politike. Ne u bëjmë thirrje liderëve botërorë të shtojnë përpjekjet për të vendosur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin për të ndaluar dhe filluar të përmbysin prirjen gati 10-vjeçare të zhvendosjes së nxitur nga dhuna dhe persekutimi", tha ai.

Duke vënë në dukje se janë mirënjohës për bujarinë dhe mikpritjen e popullit dhe zyrtarëve turq, Leclerc përsëriti angazhimin e tij për të mbështetur Turqinë dhe institucionet e saj në bashkëpunim të ngushtë dhe dialog në të gjitha fushat në lidhje me mbrojtjen e refugjatëve, zgjidhjet dhe ndihmën.

"Është një përgjegjësi globale dhe e përbashkët për të ndërhyrë në krizën e refugjatëve dhe për të ndihmuar refugjatët. Nuk duhet të jetë përgjegjësia e një vendi të merret me sfidat e zhvendosjes," tha ai.

 


Lajme të ngjashme