Ndalet jeta në Gjenevë, Biden dhe Putin diskutojnë marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Rusi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, do të takohen sot në Gjenevë të Zvicrës, në samitin e dytë SHBA-Rusi që mbahet në këtë qytet pas atij të vitit 1985.

1659198
Ndalet jeta në Gjenevë, Biden dhe Putin diskutojnë marrëdhëniet e tensionuara SHBA-Rusi
ABD-Rusya Zirvesi, Joe Biden ile Vladimir Putin.jpg
Cenevre'de ABD-Rusya Zirvesi.jpg

Plot 36 vjet pas samitit historik midis kreut të atëhershëm të Shtëpisë së Bardhë, Ronald Reagan dhe ish-udhëheqësit sovjetik, Mihail Gorbaçov, mbajtur në Gjenevë më 19-20 nëntor 1985, bota është kapluar përsëri nga emocionet e samitit SHBA-Rusi.

Samiti në fjalë ka shkaktuar pothuajse ndaljen e jetës në qytetin zviceran. Rrugët që çojnë në zonën ku do të mbahet samiti dhe në hotelet ku do të akomodohen delegacionet amerikane e ruse, janë mbyllur plotësisht për trafikun e automjeteve dhe këmbësorëve.

Programi zyrtar për samitin nuk është njoftuar ende.

Megjithatë dihet që dy liderët do të negociojnë se çfarë duhet të bëhet për të vendosur në rrugën e duhur marrëdhëniet dypalëshe që janë tensionuar edhe më shumë se në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Ky samit, në të cilin Bideni do të takohet për herë të parë ballë për ballë me Putinin pas zgjedhjes së tij president i SHBA-së, ka një rëndësi historike në aspektin e diskutimit të marrëdhënieve në mënyrë të drejtpërdrejtë.

E përballur me sanksione nga vendet perëndimore që nga viti 2014 kur ajo aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë, Rusia nuk dëshiron të jetë pala e tensionit për të mos u dëmtuar edhe më shumë në aspektin ekonomik.

Sanksionet në fjalë kundër Rusisë së pasur me naftë dhe gaz natyror vazhdojnë në mënyrë të koordinuar nga SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë.

Edhe pse për shkak të luhatjeve të çmimeve të naftës nuk është e lehtë të matet kostoja vjetore e dëmeve të shkaktuara nga sanksionet amerikane në ekonominë ruse, indikatorë të caktuar tregojnë se vendi ka humbur miliarda dollarë.

I detyruar deri në një farë mase nga arsyet e lartpërmendura për të vepruar në mënyrë diplomatike, Putini propozoi edhe një bisedë me Bidenin nëpërmjet internetit në mënyrë që ta ndiqte edhe populli.

Në krye të çështjeve që do të diskutohen në takimin Putin-Biden do jenë “sulmet kibernetike”.

Akuzat që filluan me pretendimet për ndërhyrje kibernetike të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016, janë ngritur sërish në rend t ditës me sulme të tjera të kryera deri më sot.

Zyrtarët amerikanë argumentojnë se ka gjurmë ruse në sulmet që ende vazhdojnë ndaj disa institucioneve federale dhe kompanive në SHBA. Për zgjidhjen e kësaj çështjeje, Putini do t‘i propozojë Bidenit formimin e një grupi pune të përbashkët me zyrtarë amerikanë.

Një tjetër çështje kryesore që pritet të diskutohet nga dy liderët, është projekti gazsjellës “Rryma e Veriut 2”, i cili shtrihet nga Rusia në Evropë. Pak kohë më parë Putini njoftoi përfundimin e etapës së parë të projektit. SHBA-ja, e cila dëshiron t‘i shesë Evropës gazin e saj, e kundërshton këtë projekt mes Rusisë dhe Evropës në aspektin tregtar dhe atë strategjik.

Kriza me Ukrainën fqinje të Rusisë do të jetë po ashtu pjesë e rëndësishme e bisedimeve mes kreut të Shtëpisë së Bardhë dhe shefit të Kremlinit.

E shqetësuar nga forcimi i trupave ruse që pretendohet të jenë dislokuar në afërsi të kufirit të Ukrainës, SHBA-ja kërkon që Pellgu i Donjeckut (Donbas), rajon historik, kulturor dhe ekonomik nën administrimin e separatistëve prorusë në juglindje të Ukrainës, të kalojë nën kontrollin e qeverisë së Kievit.

Gjithashtu edhe shqetësimi rreth stërvitjeve të NATO-s kohët e fundit në kufirin perëndimor dhe jugor të Rusisë është një temë tjetër që Putini pritet ta diskutojë në takimin me Bidenin.

Rusia bëri me dije se ka vëzhguar një rritje të veprimeve ushtarake të NATO-s në kufijtë e saj perëndimorë.

Një tjetër çështje shqetësimi për SHBA-në në aspektin e “demokracisë dhe të drejtave të njeriut” në Rusi, është edhe ajo në lidhje opozitarin Alexei Navalny, i cili u burgos nga një gjykim tjetër i mëparshëm për korrupsion pas kthimit të tij nga Gjermania, ku ai u trajtua në spital me pretendimin se ishte helmuar.

Sa i përket kësaj çështjeje, pritet që Putini t‘ia shprehë personalisht Bidenit shqetësimet për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndërhyrjen në punët e saj të brendshme.

Në takim pritet të diskutohen gjithashtu çështja e stabilitetit strategjik dhe çështjet lidhur me vendosjen e armëve bërthamore me rreze të mesme, por edhe disa probleme në Traktatin e Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START) të nënshkruar mes Uashingtonit dhe Moskës.

Përveç këndvështrimeve të ndryshme mes SHBA-së dhe Rusisë për Sirinë, Libinë, Afganistanin, Iranin dhe Bjellorusinë, vlerësohet se në rendin e ditës do të grihet edhe armatosja në hapësirë.

Dy liderët thuhet se do të shprehin mendimet e tyre për zhvillimin e çështjeve mbi të cilat mund të bashkëpunohet mes Rusisë dhe SHBA-së.

Samiti mes dy liderëve, i cili do të ndiqet me vëmendje nga e gjithë bota, do të fillojë rreth orës 14:00 me kohën turke dhe do të zgjasë rreth 4 orë. Pas takimit, Vladimir Putin dhe Joe Biden pritet të mbajnë konferenca shtypi të ndara, respektivisht në 18:30 (me kohë turke) lideri rus dhe në 20:00 (me kohë turke) ai amerikan.



Lajme të ngjashme