Palestina: Qeveria e re në Izrael nuk ndryshon nga të vjetrat

Ministria e Jashtme e Palestinës tha se qeveria e re e Naftali Bennett, e quajtur si "Qeveria e ndryshimit" në Izrael, nuk do të jetë ndryshe nga të vjetrat.

1657366
Palestina: Qeveria e re në Izrael nuk ndryshon nga të vjetrat

Në një deklaratë me shkrim Ministria e Jashtme palestineze theksoi se përveç "tërheqjes së Netanyahut" cilësimi i qeverisë Bennett si "Qeveria e ndryshimit" nuk është i saktë dhe se "Qeveria e re nuk do të jetë ndryshe nga të vjetrat".

Në deklaratë shtrohen edhe pyetje të tilla si: "Cili është qëndrimi i qeverisë Bennett lidhur me kolonët okupues dhe aneksimin e Bregut Perëndimor? Cili është qëndrimi i saj lidhur me Kudsin (Jerusalemin) dhe situatën historike dhe ligjore atje? Cili është qëndrimi lidhur me marrëveshjen e nënshkruar? Çfarë qëndrimi do të ketë kundër vendimeve të marra nga legjitimiteti ndërkombëtar? Çfarë qëndrimi ka për zgjidhjen me dy shtete, për negociatat me bazë paqen në këmbim të territorit?".

Më tej thuhet se vendimi i Palestinës për këtë qeveri të re do të jetë i lidhur me sprovat që ajo do të tregojë në situatat në fjalë dhe në ditët e ardhshme.

"Sprovat e qeverisë në të ardhmen do të jenë 'Marshimi i Madh' i cili planifikohet të mbahet në Kuds (Jerusalem), shembja e vendbanimeve të paligjshme që janë ngritur në malin Subeyh në jug të Nablusit, shkeljet që vazhdojnë ndaj Xhamisë Al-Aksa, kërcënimet për dëbimin e banorëve të Kudsit, bllokada e Gazës dhe rindërtimi i Gazës", thuhet në vijim të deklaratës.

Ndërkaq edhe Sekretari i Përgjithshëm i lëvizjes Nisma Kombëtare Palestineze, Mustafa al-Bargusi tha qeveria e re izraelite e drejtuar nga Bennett është një qeveri “kolonialiste dhe raciste”, ajo do ta përshkallëzojë situatën edhe më shumë nga qeveria e mëparshme.

Kryeministri i ri izraelit është një nga ata që e kundërshtojnë më së shumti krijimin e një shteti të pavarur palestinez, nënvizoi Bergusi.

Kurse zëdhënësi i Hamasit, Sami Ebu Zuhri përmes një deklarate që bëri në llogarinë e tij në Twitter tha se nuk i kushtojnë shumë rëndësi ndryshimit të qeverisë në Izrael. “Izraeli bashkohet në politikat e grabitjes së të drejtave të palestinezëve dhe vrasjes së tyre. Rënia e Netanjahut është një nga rezultatet e fitores së arritur nga rezistenca në luftën e Shpatës së Jerusalemit”, shkruan zëdhënësi i Hamasit në reagimin e tij.

 


Lajme të ngjashme