Gjermania i druhet përkeqësimit të marrëdhënieve me Turqinë, ndalon një grup përkrahësish të PKK-së

Është pretenduar se Gjermania nuk ka lejuar një delegacion që donte të shkonte në qytetin Erbil të Irakut për të mbështetur PKK-në, për të parandaluar një përkeqësim të mundshëm të marrëdhënieve të saj me Turqinë.

1656921
Gjermania i druhet përkeqësimit të marrëdhënieve me Turqinë, ndalon një grup përkrahësish të PKK-së

Bazuar në një raport të policisë, “Die Welt”, ndër gazetat më prestigjioze në Gjermani, thekson se shoqatat kurde simpatizante të PKK-së në vend filluan fushatën e “mburojës njerëzore” për të mbështetur organizatën terroriste separatiste, ndërkohë që do të nisin edhe grupe drejt Irakut këtë muaj.

Në artikullin e gazetës vihet në pah se fakti që PKK-ja, e cila është në listën e organizatave terroriste të ndaluara në Gjermani, merr pjesë në aksione kundër Turqisë anëtare të NATO-s ose jep mbështetje pasive për këto veprime, do të ketë efekte të rëndësishme mbi interesat e Republikës Federale të Gjermanisë.

“Pjesëmarrja e qytetarëve gjermanë ose evropianë në konflikt do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Turqinë”, potencon “Die Welt” duke shtuar se autoritetet policore nuk e lejaun që të largohej nga vendi delegacionin, i cili donte të shkonte nga Aeroporti i Dyseldorfit në Gjermani për në qytetin Erbil të Irakut.

Policia njoftoi se delegacioni, i cili përfshinte gjithashtu bashkëkryetaren e grupit parlamentar dhe deputeten e Partisë së Majtë të Hamburgut, Cansu Ozdemir, u ndalua të largohej nga vendi me motivin se “rrezikonte të dëmtonte reputacionin e Gjermanisë”.

Zëdhënësi i Policisë së Dyseldorfit deklaroi se Ozdemir fillimisht nuk pohoi që ishte anëtare e Parlamentit rajonal dhe se këtë gjë e mësuan më pas nga kanalet e sigurisë. Ajo u la e lirë pas kërkesës së avokatëve.

Zyrtari policor bëri me dije edhe se gjatë marrjes në pyetje u mësua që disa prej anëtarëve të tjerë të delegacionit e kishin të ndaluar të udhëtonin jashtë shtetit.



Lajme të ngjashme