Kinë – Çiftet tani mund të kenë deri në 3 fëmijë

Qeveria e Kinës njoftoi të hënën një lehtësim të mëtejshëm të politikës së saj të planifikimit familjar duke lejuar që çiftet të kenë deri në 3 fëmijë.

1649011
Kinë – Çiftet tani mund të kenë deri në 3 fëmijë

Siç bën të ditur agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua”, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës ka marrë vendimin për të përmirësuar strukturën e saj të popullsisë dhe për të mposhtur problemin e plakjes së popullsisë së vendit.

Autoritetet po planifikojnë gjithashtu të përmirësojnë sistemet e lejes dhe sigurimeve të lindjes, si dhe të forcojnë politikat mbështetëse në fusha të tilla si taksat dhe strehimi.

Vitin e kaluar në nëntor, Kina njoftoi planin e saj pesëvjeçar (2021-2025) për të promovuar zhvillimin e ekuilibruar të popullsisë. Sipas politikës së re, qeveria do të sigurojë mbështetje të gjerë sociale dhe ekonomike për t'iu kundërvënë problemeve të fuqisë punëtore të tkurrur dhe plakjes së popullsisë.

Në vitin 2016, Kina lehtësoi kufizimet dhe lejoi çiftet të kishin një fëmijë të dytë për shkak të rritjes së shpejtë të plakjes së popullsisë.

Kurse më parë, në vitin 1978, shteti me popullsinë më të madhe në botë vendosi atë që njihet si “politika për një fëmijë”, shumë e diskutuar, në një përpjekje për të ulur varfërinë dhe për të zhvilluar ekonominë.

Shkalla e lindjeve të vendit u ul pasi numri i të porsalindurve në Kinë ra nga 17,25 milionë në vitin 2017 në 14,65 milionë në 2019-n, sipas Qendrës Kërkimore të Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës.

Ndërsa numri i foshnjave të porsalindura të regjistruara në organet e sigurisë publike në vitin 2020 ishte 10,04 milionë, 15% më pak se një vit më parë.

Ky ishte viti i katërt radhazi i lindjeve në rënie, pavarësisht nga zbatimi në vitin 2016 i një politike mbarëkombëtare për fëmijën e dytë.



Lajme të ngjashme