SHBA – Bernie Sanders: A nuk është një tragjedi edhe vdekja e 227 palestinezëve?

Senatori demokrat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bernie Sanders, paraqiti të mërkurën në Senat një projektligj që kërkon një armëpushim urgjent ndërmjet Izraelit dhe Palestinës.

1642494
SHBA – Bernie Sanders: A nuk është një tragjedi edhe vdekja e 227 palestinezëve?

Duke iu drejtuar administratës së Joe Biden dhe republikanëve ndërsa prezantonte draftin e rezolutës së tij, Bernie Sanders tërhoqi vëmendjen mbi sulmet e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës.

Pasi kundërshtoi me forcë projektrezolutën e disa senatorëve republikanë, e cila bën thirrje për “mbështetje të plotë për Izraelin”, senatori demokrat i zgjedhur nga Vermonti shtroi këtë pyetje në Senat: “Vdekja e 12 izraelitëve të pafajshëm është me të vërtetë një tragjedi. Por a nuk është një tragjedi edhe vdekja e 227 palestinezëve, 64 prej të cilëve janë fëmijë dhe 38 janë gra?”

Ai shpjegoi se situata në Gazë ishte e keqe gjithashtu para sulmeve të fundit, por u përkeqësua edhe më tepër me sulmet aktuale të Izraelit.

Sipas tij, të paktën 17 spitale ose klinika në Gazë janë dëmtuar në sulmet e Izraelit, mes tyre edhe e vetmja ambulancë e qytetit ku bëhen testet për COVID-19.

“Këto janë tragjedi gjithashtu dhe duhet të marrin fund. Prandaj një armëpushim urgjent është i pashmangshëm. Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë thirrje menjëherë për një armëpushim”, theksoi Sanders.

Gjatë fjalës së tij përpara Senatit, ligjvënësi demokrat nga Vermonti fshikulloi edhe Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Kongresi duhet të kuptojë që prej më shumë se një dekade administrata djathtiste e Benjamin Netanyahut ka nxitur gjithnjë e më tepër një formë të nacionalizmit racist intolerant dhe autoritar në përpjekjen e tij për të qëndruar në pushtet dhe për të shmangur ndjekjen penale për korrupsion”, deklaroi ai.

Po ashtu Bernie Sanders tha se SHBA-ja duhet të kuptojë atë që po ndodh në politikën izraelite.



Lajme të ngjashme