Rëndohet bilanci i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, të paktën 200 martirë

Është rritur në 200 numri i palestinezëve të martirizuar nga sulmet e Izraelit në Gazë, ndërkohë që ushtria izraelite vazhdon të godasë nga ajri dhe toka Rripin e Gazës, ku jetojnë më shumë se 2 milionë njerëz.

1640969
Rëndohet bilanci i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës, të paktën 200 martirë
israil hava saldırıları gazze 07.jpg

Sipas deklaratës me shkrim të bërë nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, nga sulmet që Izraeli ka kryer prej 10 majit në Rripin e Gazës nën bllokadë, kanë humbur jetën 200 njerëz, përfshi këtu 59 fëmijë dhe 35 gra, si dhe janë plagosur 1.307 të tjerë.

E njëjta deklaratë thekson se 398 nga të plagosurit janë fëmijë dhe 46 nga personat e shtruar në spitale janë në gjendje të rëndë.

Nga ana tjetër, grupet e rezistencës palestineze në Rripin e Gazës vazhdojnë të lëshojnë raketa si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite.

Tre persona morën plagë të lehta pasi një raketë e hedhur pasdite nga Gaza goditi një apartament në qytetin jugor Ashdod të Izraelit.

Që nga fillimi i sulmeve izraelite më 10 maj, 10 veta kanë vdekur në Izrael për shkak të raketave të lëshuara nga grupet e rezistencës palestineze.

Ndërkohë, 112 palestinezë janë plagosur si pasojë e ndërhyrjes së forcave izraelite me plumba të vërtetë dhe plastikë ndaj demonstratave të organizuara në zona të ndryshme të Jerusalemit Lindor dhe Bregut Perëndimor të pushtuar për të mbështetur Rripin e Gazës nën agresionin e Izraelit.

Nga data 10 maj e deri më sot, 19 palestinezë kanë humbur jetën për shkak të ndërhyrjes së forcave izraelite kundër demonstratave të mbajtura në Bregun Perëndimor në mbështetje të Gazës.



Lajme të ngjashme