“Amnesty International”: Sulmet e Izraelit kundër civilëve janë krime lufte

Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International – AI) shprehu “shqetësim të thellë” nga rritja e numrit të vdekjeve në Gazë si pasojë e sulmeve të Izraelit dhe bëri me dije se sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve janë “krime lufte”.

1640703
“Amnesty International”: Sulmet e Izraelit kundër civilëve janë krime lufte

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për numrin e të vdekurve që po rritet në Gazë. Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet të hetojë sulmin izraelit të ditës së shtunë ndaj kampit të refugjatëve Al-Shati, me pasojë vdekjen e 8 fëmijëve dhe 2 grave. Sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve janë krime lufte”, deklaroi organizata me seli në Londër përmes një komunikate të shkruar.

Sulmet që Izraeli kreu të shtunën në Rripin e Gazës u morën jetën 10 palestinezëve në kampin Al-Shati, 8 fëmijë dhe 2 gra nga familjet Ebu Hatab dhe El-Hadidi, të cilët kishin shkuar me rastin e Fitër Bajramit në shtëpinë e të afërmeve të tyre.

Bilanci i sulmeve që Izraeli ka ndërmarrë nga ajri e toka prej 10 majit në Rripin e Gazës, po rëndohet çdo ditë e më tepër.

Të paktën 197 persona kanë humbur jetën për shkak të sulmeve izraelite deri më tani, përfshi këtu 58 fëmijë dhe 34 gra, ndërsa janë plagosur 1.235 të tjerë. Gjithashtu janë shembur plotësisht ose janë bërë të papërdorshme dhjetëra objekte civile.



Lajme të ngjashme