Izraeli vazhdon sulmet nga toka, ajri dhe deti në Gazë

Ushtria izraelite e sulmon Gazën, të cilën e mban nën bllokadë prej vitesh, me bombardime intensive nga toka me artileri, ajri dhe deti.

1639305
Izraeli vazhdon sulmet nga toka, ajri dhe deti në Gazë
Gazze saldırı

Objektiva të ndryshme në lagjet veriore dhe veriperëndimore të Gazës forcat izraelite i kanë bombarduar intensivisht dhe njëkohësisht nga toka (me artileri), ajri dhe deti.

Pjesa veriore e qytetit ka mbetur në errësirë për shkak të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike si pasojë e bombardimeve izraelite. Në zonë janë parë flakë të mëdha.

Në zonë u dërguan ambulanca dhe ekipe të mbrojtjes civile. Nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me sulmin.

Pasi bombarduan intensivisht pjesën veriore të Rripit të Gazës, pas një qetësie 2-orëshe avionët izraelitë kanë vazhduar të bombardojnë sërish lagje të ndryshme të Gazës.

Ndërkaq zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite i është shmangur rikonfirmimit të deklaratës së parë “Ushtarët izraelitë hynë në Gazë” dhe ka përdorur shprehjen: “Nuk mund ta konfirmojmë se kanë hyrë apo jo ushtarët”.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Jonathan Conricust në deklaratën e tij të parë për agjencinë turke të lajmeve “AA” kishte thënë se ushtria izraelite kishte filluar “operacionin tokësor” në Rripin e Gazës.

Kurse në deklaratën e dytë të bërë nga zyra e zëdhënësit u bë ky sqarim: “Bëhet fjalë për një keqkuptim që ka ndodhur për shkak të gabimit në përkthim, operacioni tokësor nuk ka filluar ende”.

Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës janë martirizuar 119 persona, përfshirë 28 fëmijë dhe 15 gra, ndërsa janë plagosur 621 të tjerë.

Kurse 139 persona të tjerë janë plagosur nga ndërhyrjet e ushtarëve izraelitë me plumba të vërtetë dhe plastikë ndaj protestave që janë mbajtur në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor të okupuar me qëllim për të mbështetur Rripin e Gazës.

 


Lajme të ngjashme