ShBA -25 kongresmenë i kërkojnë Blinken t’i bëjë presion Izraelit

Me anë të një letre 25 kongresmenë demokratë i kanë bërë thirrje Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për t’i bërë presion Izraelit të ndalojë shkatërrimet e shtëpive të palestinezëve.

1638863
ShBA -25 kongresmenë i kërkojnë Blinken t’i bëjë presion Izraelit

Njëzet e pesë (25) anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) i dërguan të mërkurën një letër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, të cilit i bëjnë thirrje të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të ndaluar dëbimin e planifikuar të palestinezëve në Jerusalemin Lindor të okupuar.

"Ne e shkruajmë këtë letër për të shprehur shqetësimin tonë të thellë në lidhje me planin e afërt të Izraelit për të zhvendosur me forcë rreth 2.000 palestinezë që jetojnë në lagjet Al-Bustan dhe Sheikh Jarrah të Jerusalemit”,- thuhet në letrën e përpiluar nën drejtimin e kongresmenes demokratike Marie Newman e Illinois dhe kongresmeni demokrat i Winsconsin, Mark Pocan.

"Ne i bëjmë thirrje Departamentit të Shtetit të bëjë presion diplomatik për të parandaluar që këto akte të ndodhin", thonë kongresmenët në letrën e tyre.

Letra citon një raport, sipas të cilit rreth 5.000 shtëpi palestineze janë shkatërruar nga autoritetet izraelite në Jerusalemin Lindor midis 1967 dhe 2017, kurse mes viteve 2018-2020 Izraeli ka prishur edhe 349 shtëpi të tjera të palestinezëve dhe qeveria izraelite vazhdon të injorojë familjet palestineze.

"Jerusalemi Lindor është pjesë e Bregut Perëndimor dhe, sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli e ka okupuar ushtarakisht zonën e këtij territori, duke e përfshirë fillimisht në mënyrë të jashtëligjshme në bashkinë e Jerusalemit dhe duke e aneksuar atë më vonë”,- thuhet në vijim të letrës së kongresmenëve demokratë.

“Si një fuqi okupuese këtu Izraeli duhet të respektojë nenin 53 të Kongresit të 4-ët të Gjenevës, i cili ndalon shkatërrimin e vendbanimeve që u përkasin individëve në një tokë të okupuar. Sipas nenit 8 të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale “Shkatërrimi masiv dhe përvetësimi i pasurisë, që nuk justifikohet me nevojat ushtarake dhe i kryer në mënyrë të paligjshme e të pamëshirshme në zonat e pushtuara përbën krim lufte”, rikujton letra e ligjbërësve amerikanë.

Letra i bën thirrje Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për t’i dhënë menjëherë Izraelit mesazhin më të ashpër diplomatik për të ndaluar shkatërrimet e shtëpive të palestinezëve në lagjen Al-Bustan dhe në Sheikh Jarrah, si dhe kërkohet hetimi nëse janë përdorur apo jo armët prodhim amerikan në shkatërrimet e bëra nga Izraeli.

 


Lajme të ngjashme