Mianmar – Arrin në 737 numri i protestuesve të vrarë nga forcat e sigurisë

Është rritur në 737 numri i viktimave në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë ndaj protestave kundër puçit ushtarak dhe ndalimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur.

1624152
Mianmar – Arrin në 737 numri i protestuesve të vrarë nga forcat e sigurisë

Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) konfirmoi të hënën përmes raportit të saj ditor se 7 persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e dhunës policore në Mianmar.

Ajo theksoi gjithashtu se është rritur në 737 numri i viktimave si pasojë e ndërhyrjes së armatosur të forcave të sigurisë ndaj protestuesve dhe se të paktën 3 mijë e 229 persona mbahen në paraburgim që prej ditës së grushtit të shtetit.

AAPP-ja shtoi edhe se vendimi për masën e paraburgimit vazhdon të jetë në fuqi për 930 persona.

Nga ana tjetër, Komiteti Përfaqësues i Asamblesë Kombëtare (CRPH), i cili përbëhet nga deputetë të opozitës kundërshtarë të puçit ushtarak, kërkoi që “qeveria civile” që ata kanë formuat kundër juntës ushtarake, të përfaqësohej në samitin e liderëve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) që do të mbahet në Indonezi, më 24 prill, për të diskutuar krizën e Mianmarit.

Moe Zaw Oo, një përfaqësues i qeverisë civile, i tha Zërit të Amerikës që “nëse ASEAN-i dëshiron të zgjidhë situatën në Mianmar, ajo duhet të dijë se asgjë nuk do të arrihet pa përfshirë në negociata Qeverinë e Bashkimit Kombëtar të mbështetur nga populli”.

Ai theksoi se ftesa e përfaqësuesve të qeverisë civile është e rëndësishme për të penguar suksesin e puçit ushtarak.

“Deri më tani, ne s'jemi kontaktuar nga ASEAN-i për këtë çështje. Ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me përpikëri”, u shpreh Zaw Oo mes të tjerash.

CRPH-ja deklaroi më 16 prill se ata nuk e shikonin administratën ushtarake në Mianmar si të ligjshme dhe për këtë arsye formuan një “qeveri civile” të quajtur Qeveria e Bashkimit Kombëtar, e cila përbëhet nga njerëz të zgjedhur me votën e popullit.

Në kabinetin e qeverisë civile, ish-presidenti Win Myint, i cili u ndalua para grushtit të shtetit të 1 shkurtit, u caktuan si “kreu i shtetit”, kurse ish-udhëheqësja faktike e vendit, Aung San Suu Chii, u emërua si “Këshilltare e Shtetit”.



Lajme të ngjashme