Mbretëri e Bashkuar – Boris Johnson anulon vizitën në Indi për shkak të koronavirusit

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të hënën se Kryeminitri Boris Johnson ka anuluar vizitën e tij në Indi për shkak të rritjes së rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në këtë vend.

1624342
Mbretëri e Bashkuar – Boris Johnson anulon vizitën në Indi për shkak të koronavirusit

Boris Johnson kishte në plan të vizitonte Indinë javën e ardhshme. Megjithatë, ditët e fundit, një rritje e madhe e rasteve me COVID-19 është regjistruar në Indi. Kjo dhe “mutacioni i dyfishtë i varianteve të virusit” mjaftuan që vendi të përfundonte në ballinat e mediave botërore.

“Për shkak të situatës aktuale epidemiologjike, Kryeministri Boris Johnson nuk do të udhëtojë në Indi javën e ardhshme. Në vend të kësaj, kryeministrat e Indisë dhe Mbretërisë së Bashkuar do të flasin më vonë gjatë muajit për të rënë dakord mbi planin për marrëdhëniet e ardhshme midis dy vendeve”, thuhet në njoftimin e përbashkët të dy qeverive.

“Ata do të mbesin në kontakt të rregullt dhe mezi presin të takohen drejtpërdrejt gjatë vitit”, shtohet në këtë njoftim.

Ministria indiane e Shëndetësisë bëri me dije se të hënën u regjistruan mbi 270 mijë raste të reja të koronavirusit, rekord i ri brenda një dite.

Sipas të dhënave të fundit, në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 273 mijë e 810 raste të reja të infeksionit dhe numri i përgjithshëm ka shkuar në mbi 15 milionë, ndërkohë që 1 mijë e 619 persona kanë gjetur vdekjen si pasojë e virusit në të njëjtën ditë.

India regjistron më shumë se 200 mijë raste ditore me COVID-19 nga e enjtja e kaluar.



Lajme të ngjashme