NATO konfirmon mbështetjen e "palëkundur" për Ukrainën

Vendet anëtare të NATO-s konfirmuan mbështetjen e tyre "të palëkundur" për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, pas veprimeve ushtarake të Rusisë në rajonin kufitar të Ukrainës.

1620584
NATO konfirmon mbështetjen e "palëkundur" për Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kryesoi takimin që u mbajt në selinë e NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmitro Kuleba, i cili ndodhej në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës, informoi përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare mbi situatën e fundit në rajon.

“Aleatët riafirmuan mbështetjen e palëkundur të NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Vendet aleate shprehën shqetësimin e tyre për përqendrimin ushtarak të Rusisë brenda dhe përreth Ukrainës dhe shkeljet e armëpushimit nga militantët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore”,- u tha në deklaratën e NATO-s bërë pas takimit.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të përfundojë përqendrimin ushtarak dhe provokimet dhe të ulë tensionin. Aleatët e NATO-s nuk do ta njohin aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe e dënojnë përqendrimin ushtarak rus në Gadishullin e Krimesë, vijon deklarata.

Duke i bërë thirrje Rusisë të respektojë marrëveshjet e Minskut, të tërheqë forcat e saj nga territori i Ukrainës dhe të punojë në mënyrë konstruktive në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), deklarata thekson se "NATO vazhdon të sigurojë mbështetje politike dhe praktike për Ukrainën."

Deklarata gjithashtu përfshin deklaratat e Stoltenberg, i cili ka njoftuar zhvillimin e bashkëpunimit me Ukrainën dhe Gjeorgjinë për sigurinë e Detit të Zi.

 


Lajme të ngjashme