Irani fajëson Izraelin për incidentin në Natanz dhe paralajmëron hakmarrje

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif akuzoi Izraelin për përfshirje në aksidentin e së dielës në objektin bërthamor në Natanz dhe vuri në dukje se Teherani do të hakmerret për këtë.

1619562
Irani fajëson Izraelin për incidentin në Natanz dhe paralajmëron hakmarrje

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Zarif e bëri këtë deklaratë në fjalën që mbajti në një takim të Komisionit të Sigurisë Kombëtare të Parlamentit Iranian, ku ai dha informacione lidhur me bisedimet në proces për rikthimin e Iranit dhe ShBA-së në angazhimet që rrjedhin nga marrëveshja bërthamore e 2015-s.

"Zyrtarët izraelitë po flasin sinqerisht se ata nuk do të lejojnë që të arrihet heqja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit",- tha ai.

Zarif vuri në dukje se qëllimi i Izraelit ishte të prishte negociatat për heqjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Iranit.

"Sionistët duan të hakmerren ndaj popullit iranian në përgjigje të suksesit në heqjen e sanksioneve represive. Por ne nuk do ta lejojmë këtë dhe do të hakmerremi kundër sionistëve për këtë akt”,- paralajmëroi shefi i diplomacisë iraniane.

Ministri vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe "të ndjeshme" të negociatave, Irani duhet t'i kushtojë më shumë vëmendje mbrojtjes së impianteve bërthamore dhe shkencëtarëve.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Said Hatibzade ka thënë se përfshirja e Izraelit në këtë ngjarje është konfirmuar nga burime të ndryshme, ndërsa ka shtuar se vendi i tij nuk do t’i reduktojë punimet bërthamore.

Të dielën paradite ishte njoftuar se në Impiantin Bërthamor të Natanz-it kishte ndodhur një aksident në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas hetimeve të bëra në mbrëmje kreu i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit, Ali Ekber Salihi e kishte cilësuar incidentin si “akt terrorist”.

 


Lajme të ngjashme