SHBA – Kreu i Pentagonit në turne vizitash në Izrael, Gjermani, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të niset të shtunën nga Uashingtoni për një turne vizitash në Izrael, Gjermani, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku do të ketë takime me autoritetet qeveritare e ushtarake të këtyre vendeve.

1617967
SHBA – Kreu i Pentagonit në turne vizitash në Izrael, Gjermani, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar

“Sekretari Austin do të takohet me homologët e tij dhe zyrtarë të tjerë të lartë për të diskutuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të mbrojtjes dhe forcuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për parandalimin dhe mbrojtjen, ndarjen e barrës dhe sigurinë e qëndrueshme transatlantike”, tha Pentagoni në një deklaratë me shkrim.

Në Izrael, Austin do të takohet me Kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Benny Gantz, për të vazhduar konsultimet e ngushta mbi prioritetet e përbashkëta dhe për të riafirmuar angazhimin e qëndrueshëm të Uashingtonit për partneritetin strategjik SHBA-Izrael.

Kurse në Gjermani, Austin do të takohet me homologen Annegret Kramp-Karrenbauer dhe dr. Jan Hecker, këshilltar i Kancelares Angela Merkel për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

“Sekretari i Mbrojtjes do të përforcojë vlerën që SHBA-ja i kushton marrëdhënieve të saj dypalëshe të mbrojtjes me Gjermaninë. Çështje të tjera të në rend të ditës janë luftimi i ndikimit negativ të rivalëve tanë të përbashkët strategjikë dhe dialogu i vazhdueshëm mbi qëndrimin e forcës amerikane në Gjermani dhe gjetkë”, theksohet në deklaratën e Pentagonit dhe shtohet se Austin po ashtu do të vizitojë komandat evropiane të SHBA-së dhe komandën amerikane në Gjermani për t'u takuar me trupat amerikane.

Pas kontakteve në Gjermani, kreu i Departamentit amerikan të Mbrojtjes do të shkojë në Belgjikë për t’u takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Austin do të diskutojë me Stoltenberg për mënyrën se si Aleanca po trajton veprimet destabilizuese të Rusisë, një Kinë në rritje, terrorizmin dhe sfidat globale të tilla si COVID-19 e ndryshimet klimatike”, sqarohet në komunikatën e Pentagonit.

Ndalesa e fundit e sekretarit amerikan të Mbrojtjes përpara kthimit në Uashington është Mbretëria e Bashkuar, ku ai do të takohet me homologun Ben Wallace.

“Palët do të riafirmojnë rëndësinë e vazhdueshme të bashkëpunimit të mbrojtjes SHBA-Britani për të përmbushur sfidat e sigurisë globale”, thuhet në fund të deklaratës së Departamentit amerikan të Mbrojtjes.



Lajme të ngjashme