Mianmar – Numri i të vrarëve në demonstrata kundër grushtshtetit u rrit në 38

Numri i të vdekurve në ndërhyrjet e forcave të sigurisë ndaj demonstruesve kundër grushtit të shtetit në Mianmar dje u rrit në 38.

1594865
Mianmar – Numri i të vrarëve në demonstrata kundër grushtshtetit u rrit në 38

Numri i të vdekurve në ndërhyrjet e forcave të sigurisë ndaj demonstruesve kundër grushtshtetit në Mianmar dje u rrit në 38.

Përfaqësuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Mianmarin Christine Schraner Burgener bëri të ditur se 38 persona u vranë vetëm në demonstratat e djeshme dhe më shumë se 50 janë vrarë deri më tani.

Burgener tha në një konferencë shtypi dje se rreth 1.200 njerëz janë arrestuar deri më tani, ndërsa i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bashkohet dhe të kundërshtojnë grushtshtetin në Mianmar.

Duke vlerësuar deklaratat e Kinës dhe të Rusisë se grushtshteti në Mianmar dhe pasojat e tij janë një çështje e brendshme e vendit, Burgener tha: "Kjo nuk është një çështje e brendshme dhe ndikon në stabilitetin në rajon. Shpresoj që Kina dhe Rusia të kuptojnë rëndësinë e unitetit mbi këtë çështje."

Ndërkohë, Bashkimi Evropian (BE) ka dënuar ndërhyrjen e forcave të sigurisë në Mianmar ndaj demonstruesve kundër grushtshtetit.

Përfaqësuesi i Lartë i BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë Josep Borrell kujtoi se ushtria dhe forcat e sigurisë ndërhynë me dhunë në demonstrata paqësore në Mianmar, duke vrarë civilë dhe mjekë të paarmatosur.

Borrell tha se ligji ndërkombëtar është shkelur në Mianmar dhe se qindra njerëz janë arrestuar, ndërsa shtoi se presioni ndaj mediave është i papranueshëm.

Ai tha se "Përgjegjësia dhe kthimi në demokraci janë thelbësore në Mianmar."

Departamenti amerikan i Shtetit gjithashtu dënoi me forcë përdorimin e dhunës nga forcat e sigurisë kundër demonstruesve në Mianmar.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në konferencën e tij të përditshme për shtyp tha se: “Ne jemi të tronditur nga dhuna e tmerrshme që i është bërë popullit të Mianmarit për bërjen e thirrjeve paqësore për rivendosjen e sundimit civil. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve që të bëhen një zë kundër dhunës së ushtrisë së Mianmarit kundër popullit të tij."

Price i bëri thirrje ushtrisë së Mianmarit që t'i japë fund dhunës dhe të transferojë udhëheqjen tek qeveria civile, duke theksuar se dënojnë në mënyrë më të fuqishme dhunën e përshkallëzuar në ditët e fundit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA dënoi gjithashtu dhunën ndaj gazetarëve në vend.

Ai tha gjithashtu se mund të vendosin sanksione shtesë kundër ushtrisë së Mianmarit dhe se janë duke e vlerësuar kohën dhe kushtet e duhura për këto hapa shtesë.

Duke vënë në dukje se janë duke monitoruar situatën në Mianmar zëdhënësi Price shtoi se edhe situata në rajonin Arakan është duke u vëzhguar nga afër dhe se gjendja e civilëve në këtë rajon ka qenë gjithmonë një përparësi për ta.

Në një lajm që përcjell agjencia e lajmeve “Associated Press” (AP), duke cituar mediat e Mianmarit dhe platformën e mediave sociale Facebook, bëhet e ditur se forcat e sigurisë ndërhynë ndaj protestave kundër grushtshtetit ushtarak dhe kundër ndalimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë në vend, duke përdorur municion luftarak.

Në lajm thuhet se si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë 33 njerëz u vranë në qytetet Yangon, Salin, Mandalay, Mawlamyine, Myingian dhe Tin.

Raportohet se forcat e sigurisë arrestuan gjithashtu qindra njerëz, përfshirë gazetarë.

Ushtria e Mianmarit vuri në dorë udhëheqjen e vendit më 1 shkurt pasi grupet politike të afërta me ushtrinë bënë akuza për mashtrim në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve politike në vend.

Ushtria arrestoi disa zyrtarë dhe udhëheqës të partive në pushtet, përfshirë ministrin e Jashtëm dhe udhëheqësen de facto të vendit Aung San Suu Kyi dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për një vit.

Populli i Mianmarit filloi demonstratat më 6 shkurt duke kërkuar kthimin në demokraci dhe pas viktimave të rënë si pasojë e ndërhyrjes së ashpër të forcave të sigurisë, pjesëmarrja në demonstrata u rrit.

Sipas një deklarate të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) forcat e sigurisë ndërhynë ndaj protestave të organizuara në Yangon më 28 shkurt duke përdorur municione luftarake dhe granata, me çrastë vranë 18 protestues në një ditë.

 


Lajme të ngjashme