SHBA – Donald Trump i ndez dritën e gjelbër kandidaturës për presidencialet 2024

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, sinjalizoi të dielën se ai mund të kandidojë për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në vitin 2024.

1592662
SHBA – Donald Trump i ndez dritën e gjelbër kandidaturës për presidencialet 2024

Para një turme të madhe në Konferencën e Veprimit Politik Konservator 2021 në Orlando të Floridës, Trumpi mbajti fjalimin e tij të parë pasi i dorëzoi presidencën rivalit të tij demokrat Joe Biden më 20 janar.

Duke iu drejtuar turmës entuziaste në një sallë të mbushur plot, ish-presidenti kryesisht bëri kritika të ashpra ndaj administratës Biden dhe ndau pikëpamjet e tij mbi të ardhmen e tij dhe të Partisë Republikane.

“Ende nuk ju ka marrë malli për mua? Qëndroj sot para jush për të deklaruar se rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm së bashku 4 vjet më parë, është shumë larg nga të qenit i përfunduar. Jemi mbledhur këtë pasdite për të folur për të ardhmen: të ardhmen e lëvizjes sonë, të ardhmen e partisë tonë dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur”, deklaroi ai.

Gjithashtu Trumpi përgënjeshtroi katërçipërisht pretendimet rreth një partie të re.

“Unë nuk do të themeloj një parti të re, lajmet në lidhje me këtë janë të rreme. Partia Republikane është partia jonë. Lëvizja jonë, e formuar nga amerikanë krenarë, punëtorë dhe patriotë, sapo ka filluar dhe ne përfundimisht do të fitojmë”, vlerësoi ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Nga ana tjetër, Trumpi konfirmoi edhe synimin e tij si figura mbizotëruese e republikanëve duke i ndezur dritën e gjelbër mundësisë për të kandiduar sërish pas 3 vitesh për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë.

“Ku i dihet?! Unë mund të vendos t’i mposht demokratët për herë të tretë”, tha ish-presidenti nën brohoritjet e të pranishmëve, një përsëritje kjo e pretendimeve të tij se ai ka dalë fitimtar nga zgjedhjet e nëntorit 2020.

Ai argumentoi se Partia Republikane është “e bashkuar”, pavarësisht disa ligjvënësve republikanë që thonë se ata duhet ta anashkalojnë ish-presidentin, mandati i vetëm i të cilit përfundoi me protesta zgjedhore të pafrytshme dhe me bastisjen e Kongresit amerikan më 6 janar.

Duke përsëritur akuzat për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2020, Trumpi hodhi pretendimin se platformat e rrjeteve sociale si “Twitter” dhe “Facebook” janë kompani që duhet të inspektohen, pasi ato “synojnë dhe mbyllin llogaritë konservatore në vend”.



Lajme të ngjashme