Duterte paralajmëron SHBA-në: Anuloj menjëherë VFA-në nëse vendosni armë bërthamore në Filipine

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, deklaroi të dielën se ai do të anulojë “menjëherë” një marrëveshje dypalëshe ushtarake me Uashingtonin nëse armë bërthamore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dislokohen në vendin e tij.

1592849
Duterte paralajmëron SHBA-në: Anuloj menjëherë VFA-në nëse vendosni armë bërthamore në Filipine

“Unë kam bërë një deklaratë që ne do të miratojmë një politikë të jashtme të pavarur... dhe e sigurova Kinën se nuk do të lejoj që armatimet bërthamore të Amerikës të ruhen në Filipine”, tha Duterte në një konferencë për shtyp në Bazën Ajrore Villamour, në jug të kryeqytetit Manila, pasi mori nga Kina vaksinat kundër llojit të ri të koronavirusit.

“Ne nuk e duam atë... jo vetëm sepse do të binim ndesh me Kinën, por edhe sepse Kushtetuta e Filipineve e ndalon praninë e armëve bërthamore në vend. Dhe unë po ju paralajmëroj që nëse sillni armë bërthamore në Filipine, unë menjëherë do të anuloj Marrëveshjen për Forcat Vizituese me SHBA-në (VFA)”, shtoi ai në lidhje me mundësinë e pranisë së armëve bërthamore amerikane në Filipine.

Ratifikuar në vitin 1999, VFA-ja përjashton personelin ushtarak amerikan nga nevoja për një pasaportë dhe regjimi i vizave kur ata shkojnë për stërvitje të përbashkëta dhe trajnim të trupave në Filipine.

Prania strategjike e ushtrisë amerikane në rajon shihet nga Uashingtoni zyrtar dhe aleatët e tij rajonalë si një kundërpeshë e rëndësishme për Kinën.

Nga ana tjetër, Presidenti Duterte tha se ai planifikon të vizitojë Kinën deri në fund të këtij viti për të falënderuar personalisht homologun Xi Jinping për dhurimin e dozave të “Sinovac”, vaksina e parë COVID-19 që mbërrin në vendin e tij.

“Kina na ka dhënë gjithçka, por kurrë s'na kërkoi asgjë”, theksoi ai.

Filipinet morën 600.000 doza të vaksinës “Sinovac”, miratimi për të cilën u dha javën e kaluar, ndërkohë që vendi ka raportuar deri më sot 578.381 raste me koronavirus dhe 12.322 vdekje të shkaktuara prej tij, sipas të dhënave zyrtare.



Lajme të ngjashme