Agnes Callamard: Raporti i SHBA-së për çështjen Khashoggi, me rëndësi kritike për drejtësinë

Raportuesja speciale e OKB-së për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard, deklaroi se raporti që SHBA-ja ka përgatitur e do ta bëjë publik së afërmi mbi vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka “rëndësi kritike” për drejtësinë.

1590840
Agnes Callamard: Raporti i SHBA-së për çështjen Khashoggi, me rëndësi kritike për drejtësinë

Siç bën të ditur televizioni panarab “Al-Jazeera”, me seli në kryeqytetin Doha të Katarit, Agnes Callamard mori pjesë të enjten në një panel të organizuar nga Instituti “Knight First Amendment” në Universitetin e Kolumbisë, në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke thënë se raporti i Drejtorisë së Inteligjencës Kombëtare (DNI) të SHBA-së mbi vrasjen e Khashoggit pritet të japë informacione për atë se kush është përgjegjës për krimin, raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara tha se me më shumë prova do të ishte e pamundur për pjesën tjetër të botës të injoronte çdo informacion.

Pasi nënvizoi se ky raport, i cili pritet të bëhet publik së shpejti, ka një rëndësi kritike për drejtësinë, Callamard tha se raporti i DNI-së duhet të botohet për të mirën e demokracisë së SHBA-së.

Vlen të rikujtojmë se zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, njoftoi të mërkurën se raporti mbi vrasjen e Khashoggit do të bëhej publik së shpejti.

Jamal Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku ai shkoi për procedura martesore më 2 tetor 2018.

Sipas raportit me 101 faqe të publikuar në qershor 2019 nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Arabia Saudite është përgjegjëse për vrasjen e qëllimshme dhe të paramenduar të gazetarit Khashoggi.

Në këtë raport theksohet se ka prova të besueshme për hetimin e zyrtarëve të lartë duke përfshirë edhe trashëgimtarin e fronit saudit, Mohammed bin Salman.

Gjithashtu raporti i OHCHR-së tërheq vëmendjen se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duhet të fillojë një hetim penal plotësues për vrasjen brutale të gazetarit saudit dhe se masat ndëshkimore duhet përfshijnë po ashtu princin trashëgimtar të Arabisë Saudite dhe pasuritë e tij personale jashtë shtetit.



Lajme të ngjashme