Kompanitë ajrore të Japonisë ndërpresin përdorimin e avionëve “Boeing 777”

Ministria e Transportit të Japonisë urdhëroi të hënën kompanitë kryesore ajrore të vendit, të cilat kanë në flotën e tyre “Boeing 777”, të ndërpresin operacionet e këtyre avionëve.

1588195
Kompanitë ajrore të Japonisë ndërpresin përdorimin e avionëve “Boeing 777”

Në këtë kontekst, kompania “All Nippon Airways” (ANA) dhe ajo “Japan Airlines” (JAL), të cilat kanë përkatësisht 19 dhe 13 avionë të tillë në flotat e tyre, do t'i mbajnë avionët e tyre të pasagjerëve “Boeing 777” në hangarë për mirëmbajtjet e nevojshme.

Vendimi për tërheqjen e këtyre aeroplanëve në hangarë ndikoi shkurtimisht në transportin ajror në Japoni dhe vetëm disa fluturime shënuan vonesa.

Sipas lajmeve të transmetuesit publik “NHK”, kompanitë ajrore “ANA” dhe “JAL” deklaruan se, pas udhëzimit të Ministrisë, avionët e modeleve të tjera vazhdojnë të shërbejnë dhe fluturimet aktuale nuk do të ndërpriten.

Kompania ajrore amerikane “United Airlines” pati njoftuar po ashtu më herët se do të nxjerrë nga përdorimi 24 avionë të saj “Boeing 777”, pasi njëri prej tyre pësoi dështim të motorit, pas ngritjes të shtunën.

Avioni me 231 pasagjerë dhe 10 pjesëtarë të ekuipazhit në bord u detyrua të kthehej në aeroportin e Denverit në Kolorado, pa asnjë të lënduar.

Pikërisht në përgjigje të incidentit, Japonia u kërkoi të gjitha linjave ajrore që përdorin “Boeing 777” me të njëjtin motor “Pratt & Whitney 4000”, të shmangin hapësirën e saj ajrore.

Vetë kompania “Boeing” tha se e mbështet vendimin e Japonisë dhe rekomandoi pezullimin e operacioneve të të gjithë avionëve “777” me të njëjtin motor.

Prodhuesi tha se 69 avionë “Boeing 777” më këtë motor janë aktualisht në shërbim në të gjithë botën.

Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “United Airlines” është e vetmja kompani ajrore amerikane që fluturon me aeroplanë të tillë.

Menjëherë pas incidentit në Denver, FAA-ja urdhëroi inspektime shtesë të avionëve “Boeing 777” të pajisur me motorin “Pratt & Whitney 4000”.



Lajme të ngjashme