Blinken: SHBA-ja do të shlyejë borxhet e saj ndaj OBSH-së deri në fund të shkurtit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony (Tony) Blinken, bëri me dije të mërkurën se SHBA-ja do t’i përmbushë detyrimet e saj ndaj Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duke i paguar mbi 200 milionë dollarë deri në fund të muajit.

1586099
Blinken: SHBA-ja do të shlyejë borxhet e saj ndaj OBSH-së deri në fund të shkurtit

“Ky është një hap kryesor përpara në përmbushjen e detyrimeve tona financiare si një anëtar i OBSH-së dhe pasqyron angazhimin tonë të ripërtërirë për të siguruar që OBSH-ja të ketë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr përgjigjen globale ndaj pandemisë”, deklaroi Blinken gjatë fjalës së rastit në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19) dhe shpërndarjen e drejtë të vaksinave kundër tij.

Duke u ndalur gjithashtu mbi rëndësinë e OBSH-në në luftën kundër pandemisë dhe në ndërtimin e sistemeve shëndetësore më të forta, shefi i diplomacisë amerikane theksoi se administrata Biden, përveçse do të përmbushë detyrimet e saj karshi OBSH-së duke i paguar mbi 200 milionë dollarë deri në fund të shkurtit, po planifikon t'i sigurojë “mbështetje të konsiderueshme financiare” edhe Programit për Qasje Globale në Vaksinat kundër COVID-19 (COVAX).

Blinken pranoi se organizata ka nevojë për reforma të rëndësishme, por vuri në pah se mbështetja e SHBA-së është jetike, pasi ajo luan një rol kryesor në luftimin e pandemisë.

Ai theksoi se raporti i ardhshëm i ekspertëve të OBSH-së mbi origjinën e koronavirusit të ri “duhet të jetë i pavarur, me evidenca e fakte të bazuara në shkencë dhe pa ndërhyrje”, një referencë e mundshme për Kinën.

“Për të kuptuar më mirë këtë pandemi dhe për t’u përgatitur për një tjetër, të gjitha shtetet duhet të vënë në dispozicion çdo të dhënë të ditëve më të hershme të çfarëdo epidemie”, tha Tony Blinken duke shtuar se të gjitha vendet duhet të marrin pjesë në një proces transparent dhe të fuqishëm për parandalim dhe reagim ndaj emergjencave shëndetësore, në mënyrë që bota të mësojë sa më shumë që të jetë e mundur.

Vlen të rikujtojmë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, pezulloi tërheqjen e vendit të tij nga OBSH-ja pak orë pasi mori zyrtarisht drejtimin e Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, një vendim që ishte marrë vitin e kaluar nga paraardhësi i tij, Donald Trump dhe do të ishte bërë zyrtar në korrik 2021.



Lajme të ngjashme