Kina ndalon transmetimet e BBC-së

Kina ka ndaluar transmetimet e “World News” të rrjetit britanik “BBC” me arsyetimin se ka shkelur “parimet e korrektësisë dhe paanshmërisë” në disa lajme për Kinën.

1582383
Kina ndalon transmetimet e BBC-së

Sipas një lajmi të Rrjetit Kinez Global të Televizionit (CGTN), Administrata Shtetërore e Radios dhe Televizionit të Kinës (NRTA) ka njoftuar përmes një deklarate se disa raporte të “BBC World News” mbi Kinën kanë shkelur “parimet e korrektësisë dhe paanshmërisë" në gazetari.

Ndaj këtij vendimi të Kinës reagoi Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab.

Në një deklaratë me shkrim Raab e quajti masën e Kinës "një kufizim të papranueshëm të lirisë së medias".

Raab tha se Kina është një nga vendet që vendosin kufizimet më të rrepta mbi median dhe lirinë e internetit në botë. Kjo masë e fundit do ta dëmtojë akoma edhe më shumë reputacionin e Kinës në të gjithë botën.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price gjithashtu reagoi ndaj ndalimit nga Kina të transmetimeve të rrjetit britanik “BBC”, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë dënuar këtë veprim të Pekinit zyrtar.

Price i bëri thirrje Pekinit që të sigurojë që qytetarët të gëzojnë plotësisht lirinë e internetit dhe medias.

Monitoruesi britanik i mediave, “Ofcom”, kishte anuluar më 4 shkurt licencën e rrjetit kinez “CGTN” në Angli.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e kishte konsideruar anulimin e licencës së medias “CGTN” në Mbretërinë e Bashkuar si një "standard të dyfishtë" dhe i kishte bërë thirrje qeverisë britanike ta "korrigjonte këtë gabim”.



Lajme të ngjashme