SHBA – Senati zyrtarizon Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës konfirmoi të martën me shumicë votash emërimin e Antony (Tony) Blinken në krye të Departamentit të Shtetit, 6 ditë pas mbërritjes së Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

1572038
SHBA – Senati zyrtarizon Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit

Tony Blinken, sekretari i ri amerikan i Shtetit, mori 78 vota pro dhe 22 kundër, një shumicë më e konsiderueshme se e paraardhësve të tij republikanë, Rex Tillerson dhe Mike Pompeo, të konfirmuar respektivisht me 56 dhe 57 vota pro.

Kjo erdhi pasi shumë republikanë votuan në favor të tij.

Udhëheqësi i senatorëve republikanë në Komitetin e Punëve të Jashtme, Jim Risch, nënvizoi para votimit se nuk është dakord në lidhje me kthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore me Iranin, të kërkuar nga Presidenti i ri demokrat, Biden dhe sekretari i tij i Shtetit.

“Megjithatë, përtej kësaj çështjeje, në shumë tema që diskutuam, kishte pak dallime mes nesh, në mos fare”, pranoi Risch, i cili gjithashtu votoi në favor të Blinken.

“Ne kemi nevojë për një sekretar Shteti. Ai është personi i duhur”, theksoi senatori republikan.

Kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, vuri në pah gjithashtu se Blinken ishte personi i duhur për të forcuar pozitat e SHBA-së në skenën botërore.

Në këtë mënyrë, Tony Blinken u bë emri i katërt në kabinetin Biden që fitoi aprovimin e Senatit, pas sekretarit të Mbrojtjes – Lloyd Austin, sekretares së Thesarit – Janet Yellen dhe drejtoreshës së Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines.

Vlen të nënvizojmë se në SHBA konsiderohet një anëtar i kabinetit qeverisës edhe kreu i Inteligjencës Kombëtare.

Blinken, 58-vjeç, ka shërbyer si nënsekretar i Shtetit në vitet 2015-2017, gjatë mandatit të dytë të ish-presidentit Barack Obama.

Po ashtu ai ishte këshilltar për politikën e jashtme në fushatën elektorale të Presidentit Biden dhe ndihmëspresidentes Kamala Harris.

Ndërkaq, në ditën e tij të parë si kryediplomat amerikan, Blinken realizoi biseda telefonike të ndara me homologët nga Kanadaja, Meksika, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Duke biseduar fillimisht me ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Marc Garneau, Blinken theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve dhe u angazhua për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve gjatë detyrës së tij.

Kurse gjatë telefonatës me homologun e tij meksikan, Marcelo Ebrard, shefi i diplomacisë amerikane u ndal kryesisht mbi marrëdhëniet ekonomike SHBA-Meksikë dhe mbi situatën e fundit në lidhje me emigrantët nga vendet e Amerikës Latine.

Tony Blinken, i cili bisedoi në telefon gjithashtu me ministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Toshimitsu Motegi dhe ministren e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Kang Kyung-Wha, shprehu angazhimin e Uashingtonit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin Indopaqësor.



Lajme të ngjashme