Zarif: Të lumtur që Azerbajxhani i rimori territoret e pushtuara nga Armenia

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif, u shpreh i lumtur që shikon Azerbajxhanin të ketë rifituar kontrollin mbi territoret e okupuara nga Armenia në Karabakun Malor.

1570491
Zarif: Të lumtur që Azerbajxhani i rimori territoret e pushtuara nga Armenia

Javad Zarif mbërriti të dielën në mbrëmje në Azerbajxhan, ndalesa e parë e turneut të vizitave të tij në Kaukaz, i cili synon promovimin e bashkëpunimit rajonal.

Pas mbërritjes së tij në aeroportin e Bakusë, kryediplomati iranian tha se ai është i lumtur që Azerbajxhani i rimori territoret e pushtuara nga Armenia.

Ai tha më tej se Irani është “i gatshëm të ndihmojë” njerëzit në Azerbajxhan që të kthehen në shtëpitë e tyre në territoret e çliruara “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Zarif gjithashtu riafirmoi angazhimin e vendit të tij për përpjekjet e rindërtimit në Karabakun e shkatërruar nga lufta, rajon i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që ishte prej gati 30 vitesh nën pushtimin e armenëve.

Territoret u çliruan nga pushtimi armen pas një konflikti të armatosur 44-ditor ndërmjet dy palëve ndërluftuese, i cili përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska më 10 nëntor 2020.

Shefi i diplomacisë iraniane, vizita e të cilit në Azerbajxhan dhe vendet e tjera të rajonit ishte shtyrë më herët, do të ketë bisedime me zyrtarë të lartë azerbajxhanas të hënën.

Mes pikave të agjendës së bisedimeve janë përpjekjet për rindërtimin e Karabakut të shkatërruar nga lufta dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta ekonomike.

Të dyja palët arritën një marrëveshje javën e kaluar për të rritur bashkëpunimin ekonomik, me Bakunë që mirëpret propozimin e Iranit për të kontribuar në projektet e rindërtimit në Karabak.

Ky turne rajonal parashikon vizita të Zarifit në Armeni, Rusi dhe Turqi këtë javë, të cilat – sipas tij – synojnë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Irani, vend që ka një vijë kufitare 132 km të gjatë me Azerbajxhanin, ka mbajtur tradicionalisht një qëndrim neutral ndaj Karabakut. Sidoqoftë, pas konfliktit të fundit, zërat në favor të Bakusë janë rritur në këtë vend.

Teherani njoftoi kohët e fundit gatishmërinë e tij për të luajtur një rol në forcimin e armëpushimit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, ndërsa theksoi nevojën për një “zgjidhje të përhershme” të krizës.

Gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar raportimet se pala armene shkel shpesh marrëveshjen e armëpushimit të arritur ndërmjet dy palëve në nëntor të vitit të kaluar.

Marrëdhëniet Azerbajxhan-Armeni kanë qenë të tensionuara që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun Malor, një territor i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe 7 rajone fqinje.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator 2020, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit duke shkelur disa marrëveshje të armëpushimit humanitar.

Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe gati 300 vendbanime e fshatra nga pushtimi armen.

Të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor 2020 për t'i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Armëpushimi shihet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.



Lajme të ngjashme