Koronavirusi – Bashkimi Evropian drejt vështirësimit të udhëtimeve brenda e jashtë shteteve anëtare

Komisioni Evropian propozoi të hënën një paketë të re masash për kufizimin e mëtejshëm të udhëtimeve për të frenuar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit.

1570781
Koronavirusi – Bashkimi Evropian drejt vështirësimit të udhëtimeve brenda e jashtë shteteve anëtare

Propozimi përmban koordinim shtesë në dy fusha, ku shtetet anëtare janë pajtuar tashmë që të punojnë së bashku. Këtu bëjnë pjesë përditësimi i kodit të ngjyrave për vendet me rrezik dhe masa më të rrepta për udhëtarët që vijnë nga vende me rrezik më të lartë.

Me ngjyrën e re, “e kuqe e errët”, do të shënohen zonat më të prekura nga koronavirusi i ri shkaktar i sëmundjes COVID-19.

“Kjo (ngjyrë) pasqyron një nivel të lartë infeksionesh, të cilat lidhjen pjesërisht me një variant të ri të koronavirusit”, tha për gazetarët komisionari i BE-së për Drejtësinë, Didier Reynders.

Me masat e reja të Komisionit Evropian po ashtu “dekurajohen fuqishëm të gjitha udhëtimet e parëndësishme”, ndërsa për udhëtimet e rëndësishme duhet të zbatohen masa shtesë.

“Testimi do të jetë i detyrueshëm për të gjithë udhëtarët që hyjnë në BE, përfshi këtu edhe ata që janë në të ashtuquajturat udhëtime të rëndësishme. Testi PCR për hyrje në Union nuk duhet të jetë më i vjetër se 72 orë”, deklaroi komisionarja e BE-së për Punë të Brendshme, Ylva Johanson.

Ajo sqaroi se rregullat shtesë, të cilat përfshijnë vetizolimin, karantinën dhe monitorimin e kontakteve deri në 14 ditë, duhet të zbatohen për udhëtarët që vijnë nga vendet e treta, ku qarkullimi i llojit të ri të virusit është i dukshëm.

Zona e kuqe e errët, ku regjistrohen infeksione nga lloji i ri i koronavirusit, do të azhurnohet çdo javë në hartën epidemiologjike të BE-së nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Po ashtu Komisioni Evropian propozon që të shmangen udhëtimet në këto zona, por saktëson që nëse udhëtimet janë të domosdoshme, do të kërkohet testi PCR para nisjes në zonën e kuqe të errët dhe karantina pas kthimit, me përjashtim të njerëzve që punojnë në zonat e lartpërmendura.



Lajme të ngjashme