Kenia do të blejë 118 transportues të blinduar “Hizir” nga Turqia
Ushtria e Kenias njoftoi të hënën se do të blejë 118 transportues të blinduar nga Turqia.

Kolonelja Zipporah Kioko, zëdhënëse e Forcave Mbrojtëse të Kenias, deklaroi se do të prokurojnë transportuesin e blinduar “Hizir”, prodhim i kompanisë turke të industrisë së mbrojtjes, “Katmerciler”, për të rritur efektivitetin në mbrojtjen e kufijve dhe për të siguruar mbijetesë maksimale të trupave të saj teksa luftojnë me organizatën terroriste Al-Shabaab në Somali.
Duke theksuar se transportuesi i blinduar në fjalë mund të garantojë “lëvizshmëri mbrojtëse” për trupat keniane kudo që ato dislokohen, zëdhënësja Kioko sqaroi se marrëveshja për prokurimin e 118 autoblindave nga Turqia është në fazën përfundimtare.
“Hizir” spikat si autoblinda luftarake me rrota taktike më të fuqishme dhe me fuqinë më të lartë motorike të klasës së saj në industrinë turke të mbrojtjes.
Transportuesi i blinduar në fjalë, plotësisht një produkt i inxhinierisë turke dhe i përforcuar në aspektin balistik, siguron mbrojtje të lartë kundër minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, ka manovrueshmëri të lartë, konfigurim 4x4 dhe 400 kuaj fuqi.
I zhvilluar në përputhje me standardet e NATO-s, “Hizir” ka kaluar me sukses të gjitha testet e performancës dhe shpërthimit. Mbrojtja e nivelit të lartë që ai garanton kundër minave, është testuar dhe aprovuar gjithashtu nga një organizatë ndërkombëtare e pavarur testimesh.
Lajme të ngjashme
Tjetër shfaqje islamofobie nga kryeministri slloven, krahason Kuranin me Manifestin Komunist
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansa, ka bërë një tjetër postim kundër Islamit në mediat sociale.