Mianmari pranon riatdhesimin e arakanasve, procesi nis në tremujorin e dytë të këtij viti

Mianmari ra dakord me thirrjet e Bangladeshit në një takim trepalësh të ndërmjetësuar nga Kina për të filluar riatdhesimin e shumëpritur të myslimanëve arakanas në tremujorin e dytë të këtij viti.

1567639
Mianmari pranon riatdhesimin e arakanasve, procesi nis në tremujorin e dytë të këtij viti

Ministri i Punëve të Jashtme të Bangladeshit, Masud Bin Momen, deklaroi pas takimit trepalësh se janë përpjekur që riatdhesimi të fillojë në tremujorin e parë, por - sipas tij - Mianmari kërkoi më shumë kohë për rregullime logjistike e fizike.

“Kështu që ne kërkuam të niset riatdhesimi në tremujorin e dytë dhe ata ranë dakord për këtë”, sqaroi ai.

Momen theksoi mes të tjerash se Kina dhe Mianmari u pajtuan gjithashtu mbi propozimin e nxitur nga Bangladeshi për të mbajtur praninë e komunitetit ndërkombëtar në shtetin Arakan të Mianmarit gjatë procesit të riatdhesimit.

Ndërkaq, Kina do të sigurojë vaksinime falas kundër llojit të ri të koronavirusit, shkaktar i sëmundjes COVID-19, për refugjatët arakanas në fazën e parë të riatdhesimit.

Disa ditë para takimit, shefi i diplomacisë së Bangladeshit potencoi se “riatdhesimi është zgjidhja e vetme për t'i dhënë fund krizës së popullit arakanas dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër”.

Takimit të parë të nivelit ministror ndërmjet Bangladeshit dhe Mianmarit me ndërmjetësimin e Kinës iu bashkua edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Luo Zhaohui.

Në takim po ashtu u paraqit një propozim për të dërguar një grup arakanas për të vizituar shtetin e Arakanit në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim krijimin e një mjedisi të ngrohtë për ata që kthehen.



Lajme të ngjashme