Mbytet një varkë me emigrantë në Libi: 43 të vdekur

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se të paktën 43 persona humbën jetën si rezultat i fundosjes së një varke me emigrantë të parregullt në ujërat libiane të Mesdheut.

1567783
Mbytet një varkë me emigrantë në Libi: 43 të vdekur

Përmes një komunikate të përbashkët, Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM) u shprehën të shqetësuara për lajmin e fundosjes varkës më 19 janar.

Komunikata thekson se të paktën 43 emigrantë të parregullt humbën jetën në “aksidentin e parë tragjik me varkë” të vitit 2021 në Mesdhe.

Gjithashtu bëhet me dije se 10 persona janë shpëtuar nga varka e mbytur dhe janë nxjerrë në breg nga roja bregdetare e qytetit libian Zuvara.

Siç raportohet, motori i varkës u ndal disa orë pasi ajo u nis nga qyteti Zaviye në orët e para të ditës së djeshme dhe u përmbys për shkak të kushteve të këqija atmosferike.

“Shumica e emigrantëve të parregullt të shpëtuar janë nga Bregu i Fildishtë, Nigeria, Gana dhe Gambia, ndërsa të gjitha viktimat ishin nga vendet e Afrikës Perëndimore”, sqarohet në komunikatë.

Të dyja institucionet e OKB-së i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar pas “aksidentit tragjik të fundit” duke kërkuar një rishikim urgjent të qasjeve ndaj situatës në Mesdhe.

Qindra emigrantë të parregullt humbën jetën në aksidente detare të ndryshme në Mesdhe gjatë vitit 2020 në përpjekje për të mbërritur në brigjet evropiane.



Lajme të ngjashme