Katari u bën thirrje shteteve arabe të Gjirit për dialog me Iranin

Ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani, ftoi të martën shtetet arabe të Gjirit që të angazhohen në dialog me Iranin duke theksuar gatishmërinë e vendit të tij për të ndërmjetësuar në këtë dialog.

1566910
Katari u bën thirrje shteteve arabe të Gjirit për dialog me Iranin

I intervistuar nga televizioni “Bloomberg”, Al-Thani përsëriti thirrjen që Katari u bën prej një kohe të gjatë 6 anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Shteteve Arabe të Gjirit (GCC) për dialog me Iranin.

“Qeveria jonë shpreson që ky dialog të ndërtohet dhe mendon se kjo është e domosdoshme”, u shpreh ai.

Duke nënvizuar se edhe shtetet e tjera anëtare të GCC-së shpresojnë për të njëjtën gjë me Katarin, ministri Al-Thani potencoi se Doha është gati të ndërmjetësojë nëse do të ishte e nevojshme.

Ndërsa kur u pyet mbi probabilitetin e fillimit të një procesi dialogu ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, shefi i diplomacisë katarase u përgjigj me këto fjalë: “Doha mund të ndërmjetësojë bisedimet në rast se kjo gjë kërkohet prej ndonjërës palë. Ne duam sukses; dëshirojmë të shohim arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit.”



Lajme të ngjashme