Kinë – Ekspertët e OBSH-së mbërrijnë në Wuhan për të hetuar origjinën e COVID-19

Një delegacion ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka mbërritur të enjten në Wuhan të Kinës për të nisur hetimin e shumëpritur për origjinën e koronavirusit shkaktar të sëmundjes COVID-19.

1563676
Kinë – Ekspertët e OBSH-së mbërrijnë në Wuhan për të hetuar origjinën e COVID-19

Siç bën të ditur media shtetërore kineze, një ekip prej 10 ekspertësh ka arritur në Wuhan më 14 janar.

Delegacioni pritet të qëndrojë për 1 muaj në qytetin ku është identifikuar për herë të parë virusi në fund të vitit 2019.

Ekspertët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia, Gjermania, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Rusia, Holanda, Katari dhe Vietnami do të fillojnë punën fillimisht në karantinë dhe më pas do të zhvillojnë takime me ekspertë kinezë përmes videokonferencave.

Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, ka shprehur zhgënjimin e tij një javë më parë për vonesat e krijuara në organizimin e këtij udhëtimi. Ai ka thënë se shkencëtarët do të fokusohen në atë se si koronavirusi ka kaluar në njerëz.

“Studimi do të nisë në Wuhan për të identifikuar burimin potencial të infektimit për rastet fillestare”, ka thënë Tedros.

Për origjinën e koronavirusit ka ende spekulime. Disa besojnë në mundësinë e bartjes nga lakuriqi në njerëz, përmes blerjes së ndonjë kafshe tjetër të shitur për ushqim apo qëllime mjekësore në ndonjë treg në Wuhan.

Qeveria kineze ka promovuar teoritë se shpërthimi mund të ketë nisur me importe të ushqimeve të kalbura të detit, pretendim që është kundërshtuar nga mjaft shkencëtarë dhe agjenci ndërkombëtare.

Kundërshtimet e qeverisë kineze shkaktuan vonimin dhe shtyrjen e misionit hetues të rasteve të para të diagnostikuara në Wuhan.

Pekini zyrtar akuzohet për vonim të reagimit të hershëm duke fshehur virusin dhe lejuar përhapjen e tij.



Lajme të ngjashme