Azerbajxhan-Rusi-Armeni dalin me deklaratë të përbashkët për Karabakun

Liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një pakt për zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe të infrastrukturës në dobi të të gjithë rajonit.

1561892
Azerbajxhan-Rusi-Armeni dalin me deklaratë të përbashkët për Karabakun

Në një takim që u zhvillua dy muaj pas shpalljes së armëpushimit në rajonin e Karabakut Malor në Kaukaz, liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një pakt për zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe të infrastrukturës në dobi të të gjithë rajonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, pas samitit që u zhvillua në Moskë dolën para kamerave në një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti Putin përshëndeti bisedimet duke i cilësuar ato si "jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të dobishme".

Pas katër orë bisedimesh trepalëshe, Putin u tha gazetarëve se kishin arritur një marrëveshje për zhvillimin e situatës në rajon.

"Dua të them, se kemi rënë dakord për hapa konkrete për të ndërtuar lidhjet ekonomike dhe për të zhvilluar projekte infrastrukturore. Për këtë qëllim, do të krijohet një grup pune, i cili do të drejtohet nga zv/kryeministrat e tre qeverive, Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë. Në të ardhmen e afërt ata do të krijojnë nëngrupe ekspertësh, të cilët do të paraqesin plane konkrete për zhvillimin e infrastrukturës dhe të ekonomisë së rajonit", tha Putin.

Putin shprehu bindjen e tij se nga zbatimi i këtyre marrëveshjeve do të përfitojë jo vetëm populli armen dhe ai azerbajxhanas, por edhe i gjithë rajoni në tërësi.

Presidenti rus po ashtu tha se marrëveshja e 10 nëntorit midis tre vendeve, që i dha fund konfliktit 44-vjeçar në Karabakun Malor, në përgjithësi është përmbushur, ndërsa shtoi se njësitë ushtarake ruse që janë vendosur përkohësisht në rajon po kryejnë detyrat e tyre.

Edhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në takimin dypalësh që pati më vonë me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, vuri në dukje rëndësinë e deklaratës së përbashkët dhe tha: “Pas 30 vjetësh Azerbajxhani do të ndërtojë një lidhje tokësore me Republikën Autonome të Nahçivanit [Nakhchivan] duke kaluar përmes Armenisë”.

“Nëpërmjet Republikës Autonome të Nahçivanit ne si Azerbajxhan do të kemi mundësi të hyjmë në tregun turk. Gjithashtu do të sigurohet edhe lidhja me hekurudhë ndërmjet Turqisë dhe Rusisë”,- vlerësoi Aliyev.

 


Lajme të ngjashme