Schwarzenegger: Trump presidenti më i keq në histori, ndërsa pushtuesit e Kongresit si nazistët

Arnold Schwarzenegger, ish-guvernator republikan i Kalifornisë, e krahasoi pushtimin e Kongresit amerikan më 6 janar nga mbështetësit e Trumpit, me atë të mbështetësve të Partisë Naziste që erdhi në pushtet në Gjermani përpara Luftës II Botërore.

1561543
Schwarzenegger: Trump presidenti më i keq në histori, ndërsa pushtuesit e Kongresit si nazistët

“Ata që mendojnë se mund të rrëzojnë Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet ta dinë se nuk do të fitojnë kurrë”, tha Schwarzeneggeri.

Në një video të postuar në rrjetin social “Twitter”, ish-politikani dhe aktori dënoi Presidentin amerikan, Donald Trump, duke e quajtur atë “presidenti më i keq në histori”, ndërsa kritikoi edhe mbështetësit e tij në Partinë Republikane.

Ai madje e krahasoi sulmin mbi ndërtesën e Kongresit nga mbështetësit e Trumpit, me “Kristallnacht” apo “Natën e Xhamave të Thyer”, në vendlindjen e tij Austri.

“E mërkura ishte dita e xhamave të thyer këtu në SHBA. Xhamat e thyer ishin ato të Kongresit. Ata nuk thyen vetëm dyert e ndërtesës së demokracisë amerikane. Ata goditën parimet mbi të cilat ky vend është themeluar. Besoj se të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për pasojat e egoizmit dhe cinizmit”, vijoi Schwarzeneggeri.

“Presidenti Trump tentoi të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të ndershme. Ai tentoi një grushtshteti duke çorientuar njerëzit me gënjeshtra. Ashtu siç ndodhi dikur në Austri. Presidenti Trump është një lider i dështuar. Gjëja e mirë është që shumë shpejt do të jetë i parëndësishëm, ashtu si një postim i vjetër në «Twitter»”, shtoi ai.

Aktori përmendi më tej edhe një shprehje të Presidentit 26. të SHBA-së, Theodore Roosevelt: “Patriotizmi do të thotë të ngrihesh për vendin. Nuk do të thotë të ngrihesh për presidentin.”

“Pavarësisht bindjeve politike, le ti urojmë presidentit të zgjedhur sukses. Nëse ai ka sukses, vendi ynë ka sukses. Le ta mbështesim atë në përpjekjen për të bashkuar vendin”, përfundoi Schwarzeneggeri.



Lajme të ngjashme