Kina i ndalon hyrjen në vend një ekipi shkencor të OBSH-së; duhej të hetonte origjinën e COVID-19

Një ekipi shkencor të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili duhej të hetonte origjinën e koronavirusit në Vuhan, i është ndaluar hyrja në Kinë, vend që kishte rënë dakord për këtë vizitë në dhjetor 2020, pas muajsh negociata me OBSH-në.

1558473
Kina i ndalon hyrjen në vend një ekipi shkencor të OBSH-së; duhej të hetonte origjinën e COVID-19

Dy zyrtarë të ekipit ishin nisur drejt Kinës, por njëri tani është kthyer dhe tjetri është në transit në një vend të tretë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha se ndalesa ndodhi për shkak të mungesës së vizave dhe se ai ishte “shumë i zhgënjyer” që Pekini nuk kishte siguruar ende lejet për ekipin “duke pasur parasysh se dy anëtarë kishin filluar udhëtimet e tyre dhe të tjerët nuk ishin në gjendje të udhëtojnë në minutën e fundit”.

Ai shtoi se kishte qenë në kontakt me zyrtarë të lartë kinezë për të theksuar “se misioni është një përparësi për OBSH-në dhe ekipin ndërkombëtar”.

Koronavirusi i ri, i cili shkakton sëmundjen COVID-19, u zbulua për herë të parë në Vuhan në fund të vitit 2019 dhe shumë shpejt u përhap në tërë botën.

Sidoqoftë, vëzhguesit thonë se Kina tani po kërkon të distancohet nga lidhjet e saj të hershme me koronavirusin. Kohët e fundit ajo po thekson sukseset e saj në luftimin e pandemisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar Kinën për fshehje të informacioneve fillestare për virusin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka quajtur koronavirusin disa herë “një virus kinez”.

Mike Ryan, drejtor Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, tha se problemi i vizave po e pengon delegacionin shkencor të organizatës që të hyjë në Kinë.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying, gjatë një konference të jashtëzakonshme për media në Pekin, bëri me dije se vendi i saj po e vazhdon komunikimin e afërt dhe po bashkëpunon për t'u mundësuar ekspertëve të OBSH-në që të mbërrijnë në Kinë dhe të hetojnë origjinën e COVID-19.

Duke theksuar se Kina në njërën anë po përpiqet me të gjitha forcat për të parandaluar pandeminë brenda vendit dhe në anën tjerë po përshpejton përgatitjet për ekspertët që do të shkojnë, zëdhënësja Hua tha gjithashtu se po punojnë për t'u krijuar ekspertëve të OBSH-së kushtet më optimale për hetimin.

Sipas uebfaqes “Worldometer” që përpilon të dhëna për COVID-19, deri më tani në botë janë infektuar me koronavirus të paktën 86.931.368 persona, prej të cilëve 1.878.281 kanë gjetur vdekjen dhe 61.644.978 janë shëruar.



Lajme të ngjashme