Izrael – Netanyahu: S'do të lejojmë që Irani të prodhojë armë nukleare

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të hënën se vendi i tij nuk do të lejojë që Irani të prodhojë armë nukleare.

1557245
Izrael – Netanyahu: S'do të lejojmë që Irani të prodhojë armë nukleare

Irani njoftoi pak ditë më parë se do të rifillonte pasurimin e uraniumit në nivelin 20% në objektin nëntokësor bërthamor të Fordos, në jug të kryeqytetit Teheran, ndonëse fuqitë botërore ia kanë lejuar pasurimin e lëndës radioaktive deri në 3,67%.

Netanyahu reagoi ndaj kësaj deklarate me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter” duke e quajtur synimin e Iranit “të palejueshëm”.

“Vendimi i Iranit për të vazhduar shkeljen e angazhimeve të tij, rritjen e nivelit të pasurimit të uraniumit dhe përmirësimin e aftësive industriale për pasurimin e uraniumit në objektin nëntokësor bërthamor, s'mund të justifikohet në asnjë mënyrë tjetër përveçse me realizimin e objektivit të tij të vazhdueshëm për zhvillimin e programit ushtarak bërthamor. Izraeli nuk do të lejojë që Irani të prodhojë armë bërthamore”, paralajmëroi shefi i Tel-Avivit zyrtar.

Marrëveshja bërthamore ndërmjet grupit P5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Francë, Britani + Gjermani) dhe Iranit i ndalon këtij të fundit pasurimin e uraniumit mbi nivelin 3,67% që prej vitit 2015.

Sipas marrëveshjes, Irani duhet të kufizojë prodhimin e uraniumit më pak të pasuruar për qëllime civile në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Mirëpo pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e tërhoqi vendin e tij nga kjo marrëveshje, Irani njoftoi se nuk ka më detyrime në kuadër të marrëveshjes dhe që prej asaj kohe i ka shkelur kufizimet disa herë.



Lajme të ngjashme