Hizbullahu irakian: Sot nuk do të hyjmë në Ambasadën e SHBA-së

Kataib Hizbollah, një forcë milicie shiite në Irak, u zotua të mos sulmonte Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Irak të dielën, në përvjetorin e parë të vrasjes së gjeneralit të lartë iranian, Qasem Soleimani, në një sulm ajror amerikan.

1556491
Hizbullahu irakian: Sot nuk do të hyjmë në Ambasadën e SHBA-së

“Ne nuk do të hyjmë në ambasadën e së keqes (Ambasada e SHBA-së) dhe as nuk do ta përmbysim këtë qeveri... ka ende kohë për këtë”, tha në një deklaratë sekretari i përgjithshëm i grupit, Abu Hussein al-Hamidawi.

Premtimi i grupit mbështetës të Iranit erdhi mes të tensioneve të rritura ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit në përvjetorin e parë të vrasjes së Soleimanit.

Megjithatë forcat irakiane të sigurisë kanë marrë masa të forta sigurie përreth të gjitha ambasadave, objekteve të ushtrisë dhe institucioneve të sigurisë në kryeqytetin Bagdad të vendit.

Uashingtoni është zotuar se do të hakmerret ndaj çdo sulmi nga grupet proiraniane mbi forcat amerikane ose interesat e SHBA-së në Irak.

Soleimani dhe udhëheqësi i milicisë Hashd al-Shaabi, Abu Mahdi al-Muhandis, u vranë vitin e kaluar në një sulm ajror të dronëve amerikanë jashtë aeroportit të Bagdadit.

Ndërkohë, ish-kryeministri irakian, Haider al-Abadi, paralajmëroi kundër pasojave të përshkallëzimit në rajon.

“Sot shënohet 1 vjetori i incidentit të përgjakshëm në aeroport, ku udhëheqësit që luftuan me ne për të mposhtur DAESH-in u martirizuan, sovraniteti i Irakut u shkel dhe siguria e tij u prish”, deklaroi ai përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”.

“Përshkallëzimi për të cilin kemi paralajmëruar gjithmonë, do ta shtynte Irakun dhe rajonin në një konflikt shkatërrues që mund të kapërcehet duke vepruar me maturi, duke mbrojtur sovranitetin dhe interesat e vendit, si dhe duke respektuar kornizat shtetërore”, shtoi Abadi.



Lajme të ngjashme