Disa nga zhvillimet kryesore të 2020 në botë

Një përmbledhje e disa nga ngjarjet e tjera përveç koronavirusit që shënuan vitin që po lëmë pas, duke filluar që nga fatkeqësitë natyrore e deri tek ngjarjet politike, që nga vdekjet e sportistëve legjendarë e deri tek zhvillimet shkencore.

1555428
Disa nga zhvillimet kryesore të 2020 në botë

Koronavirusi i llojit të ri (Covid-19), i cili hyri në jetën tonë ditët e fundit të vitit 2019 dhe deri tani ka infektuar më shumë se 80 milionë njerëz dhe u ka marrë jetën rreth 1,8 milionë njerëzve ishte padyshim ngjarja më e rëndësishme e vitit 2020. Vetëm se në vitin 2020, i cili kaloi me karantina, vdekje të shumta, sëmundje epidemike dhe maska, pati edhe shumë ngjarje të tjera të rëndësishme përveç koronavirusit. Ne kemi mbledhur për ju në këtë program të fundvitit disa nga ngjarjet e tjera përveç koronavirusit që shënuan vitin që po lëmë pas, duke filluar që nga fatkeqësitë natyrore e deri tek ngjarjet politike, që nga vdekjet e sportistëve legjendarë e deri tek zhvillimet shkencore.

2020, viti më i nxehtë 

Një nga çështjet e rëndësishme që shënoi vitin 2020 ishte edhe ndikimi i ndryshimit të klimës në botë. Në vitin 2020, ku më shumë vëmendje iu kushtua zjarreve, shkrirjes së akullnajave dhe emetimit të gazrave që shkaktojnë efektin e serës, termometrat në rajonin Yakutsk në Siberi, i njohur si vendi më i ftohtë në botë, shënuan deri në 38 gradë, ndërsa Kombet e Bashkuara njoftuan se viti 2020 është më i nxehtë i matur ndonjëherë.

Akullnajat vazhduan të shkrihen me shpejtësi

Akullnajat vazhduan të shkrihen me shpejtësi edhe në vitin 2020. U njoftua se akullnaja gjigante e quajtur a68a po shkrihej dita ditës, kur akullnajat vazhduan të shkriheshin në Kontinentin e Antarktikes, 98 për qind i mbuluar me akull. Është deklaruar se akullnaja “a68a”, e cila në vitin 2017 kur u shkëput nga Antarktida kishte një sipërfaqe prej 6 mijë kilometrash katrorë, u shkri dhe sipërfaqja e saj ra në 4 mijë e 800 kilometra katrorë. U nënvizua gjithashtu se ajsbergu gjigand u zhvendos në det dhe hyri në rrugën e përplasjes me ishullin e Britanisë, South Georgia, që ndodhet në skajin më jugor të Amerikës së Jugut.

100.000 zjarre në pyjet e Amazonës

Në pyjet e Amazonës këtë vit shpërthyen rreth 100.000 zjarre. Me deklaratën e bërë në tetor, numri i zjarreve në pyjet e Amazonës, arriti kulmin e 12 viteve të fundit. Ndërsa pyjet e Amazonës, të njohura si "mushkëritë e botës", sigurojnë 20 për qind të oksigjenit të rruzullit tonë, në vitin 2020 jeta natyrore u dëmtua për çdo ditë e më shumë në pyjet ku jetojnë 10 për qind e specieve bimore dhe shtazore në botë.

Zjarri australian 

Në zjarret më të mëdha në historinë e Australisë që filluan në shtator 2019 dhe vazhduan deri në mars 2020 humbën jetën 33 njerëz. Sipas raportimeve, afërsisht 1,25 miliardë kafshë u zhdukën në këto zjarre, ku u dogjën pothuajse 11 milionë hektarë pyje dhe më shumë se 3 mijë shtëpi, kryesisht në shtetin e Uellsit të Ri Jugor. Sipas hulumtimit të kryer nga qeveria australiane, rreth 3 milionë njerëz ishin prekur drejtpërdrejt dhe gati 15 milionë njerëz ishin prekur indirekt nga zjarri në vendin me një popullsi prej afërsisht 25 milionë, që do të thotë se tre të katërtat e popullsisë u dëmtuan nga zjarret.

Vdekja e George Floyd

Fjalët “Nuk marr dot frymë”, që 46-vjeçari George Floyd tha për minuta të tëra pasi një nga oficerët e policisë i kishte vendosur për një kohë të gjatë gjurin në qafë më 25 maj ndërsa ai ishte ndaluar në Minneapolis si i dyshuar për mashtrim, ishin një nga momentet kryesore të këtij viti.

Floyd-i vdiq në spitalin ku u dërgua nga ekipet e urgjencës që kishin mbërritur në vendngjarje dhe pamjet e regjistruara me celular nga kalimtarët ngjallën një reagim të madh në mediat sociale. Pas kësaj, diskutimet mbi dhunën e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë u ndezën sërish në vend duke shkaktuar protesta në shumë qytete, veçanërisht Minneapolis.

Lëvizja “Jeta e zezakëve vlen” (Black lives matter)

Organizata joqeveritare "Black Lives Matter" (Jeta e zezakëve vlen), e themeluar në 2013, organizoi demonstrata në SHBA dhe madje në pjesë të ndryshme të botës pasi 46-vjeçari George Floyd nuk ishte në gjendje të merrte frymë për një kohë të gjatë dhe vdiq.

Ndërsa lëvizja Black Lives Matter, në të cilën morën pjesë rreth 20 milionë njerëz nga vende të ndryshme të botës, u shndërrua në një nga lëvizjet më të mëdha në historinë botërore, policia amerikane njoftoi se gjatë protestave ishin arrestuar më shumë se 10 mijë vetë.

Protestat u shtrinë në të gjithë v endin dhe u shndërruan në dhunë dhe plaçkitje. Në shumë qytete u shpall “shtetrrethimi" dhe Garda Kombëtare u ngarkua me detyrë për të marrë situatën në kontroll.

Biden, fitues i zgjedhjeve presidenciale në ShBA 

Zgjedhjet në ShBA dolën në pah në politikën botërore këtë vit. Në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, kandidati demokrat Joe Biden u zgjodh si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara duke mposhtur presidentin aktual, republikanin Donald Trump.

Presidenti në largim Donald Trump në deklaratat që bëri pas votimit njoftoi se nuk i pranon rezultatet zgjedhore dhe i çoi ato në gjykatë. Pas rezultateve të gjykatës, Donald Trump tha: "Unë do të kandidoj përsëri në 2024".

Joe Biden, i cili do ta marrë detyrën pas betimit më 20 janar 2021, fitoi 81 milionë e 283 mijë vota, duke u bërë presidenti me numrin më të lartë të votave në historinë amerikane dhe 306 nga 570 delegatë gjithsej.

Në 2020 u realizua Brexit – u bë marrëveshja e tregtisë

Në Mbretërinë e Bashkuar, e cila përbëhet nga Anglia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Skocia, vendimi për Brexit u mor me 52 për qind kundër 48 për qind në referendumin e mbajtur në qershor 2016 për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian. Pas këtij vendimi, qeveria britanike, e cila zyrtarisht u largua nga BE në 31 janar 2020, zhvilloi negociata gjithëpërfshirëse me BE-në mbi marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht tregtinë. Një javë para vitit 2021, palët arritën një marrëveshje.

Ndërsa Komisioni Evropian publikoi projektmarrëveshjen e Tregtisë dhe Bashkëpunimit" të rënë dakord me Mbretërinë e Bashkuar, e cila doli nga BE-ja, mes palëve u nënshkrua një marrëveshje e re e tregtisë së lirë. Marrëveshja do të përfshijë fusha të tilla si: investimet, konkurrencën, subvencionet publike, taksat, transportin, energjinë, peshkimin, sigurinë e të dhënave dhe sigurimet shoqërore, si dhe mallrat dhe shërbimet, ndërsa rezervat e peshkut në ujërat territoriale të BE dhe Britanisë do të menaxhohen bashkërisht. Thuhet se Anglia mund të përmirësojë aktivitetet e peshkimit, po ashtu edhe peshkatarët evropianë do të vazhdojnë aktivitetin e tyre. Është deklaruar se transporti ajror, rrugor, hekurudhor dhe detar midis BE dhe Mbretërisë se Bashkuar do të vazhdojë, ndërsa BE dhe Britania do të bëjnë një konkurrencë të ndershme në fushën e transportit.

Lufta Azerbajxhan-Armeni 

Lufta, e cila filloi më 27 shtator pas sulmeve të ushtrisë armene në pozicionet azere të ngritura pas Luftës së Karabakut midis 1988-1994, përfundoi me nënshkrimin më 10 nëntor të marrëveshjes që pranonte humbjen e Armenisë. Pas luftës 44-ditore, ushtria azerbajxhanase, e cila gjithashtu u ndihmua nga ushtria turke, shpëtoi nga sulmi armen 5 qendra administrative, 4 qytete dhe 286 fshatra. Pas kësaj, Armenia e pranoi humbjen dhe nënshkroi një marrëveshje duke premtuar të evakuonte provincat e pushtuara Aghdam, Lachin dhe Kelbajar.

Pala azerbajxhanase deklaroi se 2 mijë e 783 ushtarë azerbajxhanas u martirizuan dhe 1.245 ushtarë u plagosën gjatë kësaj lufte, ndërsa pala armene njoftoi vdekjen e 2 mijë e 425 ushtarëve të saj.

Vrasja e Kasim Sulejmanit

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftoi se më 3 janar 2020, vrau ish-Komandantin e Forcës Al-Quds Gjeneralin Qassem Soleimani dhe Zëvendëskryetarin e forcave Hashdi S  habi, Abu Mahdi al-Muhendis në një sulm ajror kryer në Aeroportin e Bagdadit më 3 janar 2020.

Udhëheqësi iranian Ajatollah Ali Khamenei tha pas incidentit, "Me largimin e tij nga jeta, puna e tij nuk do të ndalet dhe rruga e tij nuk do të mbyllet. Kriminelët po i pret një hakmarrje e hidhur”. Qeveria iraniane ekzekutoi Mahmud Musevi Mexhd, i cili dyshohet se spiunonte për MOSSAD-in dhe CIA-n dhe u kishte dhënë këtyre shërbimeve informacionin mbi vendndodhjen e Sulejmanit.

Trazirat politike në Bjellorusi

Një vend të gjerë në agjendën botërore të këtij viti zunë edhe demonstratat e organizuara nga populli bjellorus kundër Aleksandër Lukashenkos, i cili me 26 vjet në postin e Presidentit të Bjellorusisë që nga viti 1994 është udhëheqësi më jetëgjatë në mesin e ish-vendeve sovjetike. Demonstratat u mbajtën para dhe gjatë zgjedhjeve 2020, por për herë të parë ato filluan më 24 maj.

Qindra njerëz u arrestuan në trazirat që u ndezën me zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 9 gusht. Partitë e opozitës nuk i pranuan rezultatet e zgjedhjeve, duke deklaruar se në zgjedhje kishte pasur manipulime. Protestuesit u mblodhën në shumë zona, veçanërisht në Rrugën e Pavarësisë në qendër të kryeqytetit Minsk, kundër Lukashenkos, i cili u njoftua se i kishte fituar zgjedhjet me 80,1 për qind të votave. Protestuesit organizuan marshime dhe i vazhduan demonstratat e tyre në Sheshin Stella.

Shpërthimi në Portin e Bejrutit

Më 4 gusht në depon nr.12 me lëndë eksplozive në Portin e Bejrutit në fillim ra zjarr pastaj ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm që tronditi të gjithë qytetin. Presidenti Mishel Avn tha se shpërthimi ishte shkaktuar nga 2.750 tonë nitrat amoni që mbahej për 6 vite në këtë depo.

Në këtë shpërthim humbën jetën 191 njerëz dhe u plagosën më shumë se 6.000 të tjerë, ndërsa disa rezultuan të humbur. Me shtimin e dyshimeve dhe akuzave për neglizhencë lidhur me shpërthimin rrugët e Libanit u mbushën me protestues, të cilët kërkuan ndëshkimin e përgjegjësve të ngjarjes. Në ditën e tretë të protestave, më 10 gusht Kryeministri Hasan Diyab deklaroi dorëheqjen. Shpërthimi në portin e Bejrutit e futi në një situatë edhe më të vështirë Libanin, i cili po përjeton krizën ekonomike më të madhe në historinë e tij.

Kobe Bryant 

Viti 2020 do të mbahet mend gjithashtu si viti kur janë ndarë nga jeta edhe dy sportistët më të mëdhenj në histori. Më 26 janar 2020 vdiq si pasojë e aksidentit me helikopter në qytetin Calabasas 41-vjeçari Kobe Bryant, një nga legjendat e Ligës Amerikane të Basketbollit (NBA). Në aksident humbi jetën edhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna. Me ekipin e Los Angeles Laker, Bryant fitoi 5 herë kampionatin e NBA-së, u zgjodh 18 herë all-star, fitues i titullit të lojtarit më të shtrenjtë (MVP) në sezonin normal të 2008 dhe në serinë finale të 2009 dhe 2010. Me bluzën e kombëtares amerikane ai kishte fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike të 2008 dhe 2012.

Maradona

Kurse më 25 nëntor humbi jetën në moshën 60-vjeçare futbollisti legjendar, argjentinasi Diego Armando Maradona. Ai pranohet si një ndër futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, sidomos me performancën e tij në Kampionatin Botëror të 1986-s. Maradona kishte luajtur rolin kryesor që Argjentina të fitonte Kupën e Botës. Golin e parë që kishte bërë në portën angleze e kishte cilësuar si “Dora e Zotit”, kurse goli i dytë sërish kundër Anglisë ishte zgjedhur si “goli i shekullit”.

Për herë të parë në histori një kompani private dërgon njerëz në hapësirë

Në vitin 2020 një kompani private për herë të parë në histori lëshoi një raketë për të dërguar njeri në hapësirë. Kompania amerikane SpaceX më 30 maj dërgoi me sukses në hapësirë 2 astronautë me sondën kozmike me emrin “Crew Dragon”, të cilën e lëshoi nga qendra hapësinore Kennedy në shtetin e Floridës. Kështu kompania e Elon Musk realizoi fluturimin e parë me njerëz në hapësirë. Kurse në 16 nëntor 2020 “SpaceX” dërgoi me raketën “Falcom-9” 4 astronautë për në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).

NASA konfirmon ekzistencën e ujit në Hënë

Administrata Kombëtare Aeronautike dhe Kozmike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (NASA) me një deklaratë të shkruar që bëri konfirmoi për herë të parë ekzistencën e ujit në pjesën e Hënës që ndriçohet nga dielli. Ky zbulim tregon se uji mbi sipërfaqen e Hënës mund të jetë në gjendje të shpërndarë, dhe nuk është i kufizuar vetëm me pjesët e ftohta dhe të errëta të Hënës. Gjithashtu NASA njoftoi se planifikon të dërgojë 2 astronautë, njëra grua, në vitin 2024 në Hënë si pjesë e programit “Artemis”. 

Rikthehet “Boeing 737 Max”, rrëzohet avioni në Ukrainë

Avioni i pasagjerëve tip “Boeing-737Max 8” u rik thye në pistë pas disa aksidenteve ajrore; më 29 tetor 2018 një avion i tillë ishte rrëzuar në det pak pasi ishte ngritur nga Xhakarta për në qytetin Pangkal Pinang të Ishullit Sumatra duke shkaktuar vdekjen e 189 njerëzve që gjendeshin në bordin e avionit; një avion tjetër ishte rrëzuar më 10 mars 2019 pak minuta pasi ishte ngritur nga kryeqyteti i Kenias, Adis-Abebë për në Nairobi, duke shkaktuar këtë herë 157 të vdekur. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e SHBA njoftoi në një deklaratë se vendimi për të rikthyer avionin në pistë ishte marrë pas një pune hetimore 20-mujore dhe pas rregullimit të gabimeve teknike.

Kurse më 8 janar 2020, aeroplani i pasagjerëve i tipit “Boeing 737”, që i përkiste shoqërisë ajrore të Ukrainës u rrëzua në Iran për shkak të një defekti teknik menjëherë pas ngritjes. Nga 167 pasagjerët dhe 9 anëtarët e ekuipazhit në bord, nuk pati asnjë të mbijetuar.



Lajme të ngjashme