Gjermani – Presidenti Steinmeier: Situata është shumë serioze, sistemi shëndetësor pranë kolapsit

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, paralajmëroi të hënën se pandemia e llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) në vendin e tij rrezikon të dalë jashtë kontrollit duke theksuar se situata është shumë serioze.

1545260
Gjermani – Presidenti Steinmeier: Situata është shumë serioze, sistemi shëndetësor pranë kolapsit
frank-walter steinmeier.jpg
Almanya Noel kapanma 02.jpg
Almanya Noel kapanma 01.jpg

Kreu i shtetit gjerman mbështeti vendimin e marrë në konferencën ndërmjet qeverisë federale dhe administratave të landeve për një mbyllje totale duke filluar nga dita e mërkurë.

“Mijëra njerëz vdiqën brenda një jave. Nuk do t'ia dalim pa ndërmarrë masa shtesë. Përpjekjet e deritanishme nuk prodhuan rezultat. Jemi të detyruar që të bëjmë hapa më të vendosura. Që nga e mërkura, ne do të përballemi me kufizimet më të forta në historinë e Republikës Federale si në sektorin publik ashtu edhe në jetën tonë private”, u shpreh ai.

Duke iu referuar Krishtlindjes që fillon më datë 24 dhjetor, Steinmeier tha se festimet mund të kompensohen më vonë.

“Ne mund t'i bëjmë miqtë dhe të afërmit tanë të lumtur me dhurata më vonë. E rëndësishme tani është të mbrojmë shëndetin tonë dhe të shpëtojmë jetë”, nënvizoi presidenti gjerman.

Pasi theksoi rëndësinë e minimizimit të kontaktit gjatë periudhës së pushimeve, Steinmeier vuri në pah jo vetëm numrin në rritje të shpejtë të pacientëve të kujdesit intensiv, por edhe se pandemia s'mund të lejohet të arrijë një nivel që do të shkaktonte kolapsin e sistemit shëndetësor të vendit.

Ai po ashtu tërhoqi vëmendjen mbi rëndësinë e rolit të vetë qytetarëve në luftën kundër pandemisë.

“Të gjithë duhet të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë përveç këtyre për të mbrojtur veten dhe njerëzit përreth tyre”, shtoi Presidenti Steinmeier.

Sipas tij, qëllimi është reduktimi i numrit të rasteve të reja sa më shpejt të jetë e mundur dhe mbajtja e tyre në nivele të ulëta.

“Ditët në vijim janë një sprovë për të gjithë ne”, shtoi ai.

Gjithashtu presidenti gjerman u shpreh optimist që autorizimi i parë i vaksinimit në vendin e tij do të lëshohet këtë vit dhe se vaksinimet mund të nisin në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai u shpreh i bindur se Gjermania do ta kapërcejë këtë krizë.

“Ne duhet dhe do ta bëjmë këtë”, përfundoi Steinmeier.

Sipas masave të reja të emergjencës që do fillojnë nga 16 dhjetori 2020 deri me 10 janar 2021, të gjitha shkollat dhe dyqanet jo të domosdoshme në mbarë Gjermaninë duhet të mbyllen. Të mbyllura do të qëndrojnë gjithashtu baret dhe restorantet.

Në përpjekje për të parandaluar turmat në ambiente të jashtme gjatë periudhës në fjalë, është ndaluar edhe shitja e fishekzjarrëve, edhe konsumi i alkoolit në publik.

I vetmi lehtësim është se deri në 10 persona do të lejohen të mblidhen për festimet e Krishtlindjes brenda një shtëpie, ndërkohë që tani për tani lejohen vetëm 5 persona nga dy familje të ndryshme.

Shkalla e infektimeve në Gjermani ka arritur nivele rekord gjatë ditëve të fundit dhe vendi tani renditet i 12-ti në botë për nga numri i rasteve.



Lajme të ngjashme