Azerbajxhani reagon ndaj vendimit të Francës për Karabakun Malor

Azerbajxhani e cilësoi miratimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të Francës, që i ka bërë thirrje qeverisë për të njohur të ashtuquajturën Republika e Karabakut Malor, si një veprim provokues dhe armiqësor ndaj Azerbajxhanit.

1539917
Azerbajxhani reagon ndaj vendimit të Francës për Karabakun Malor

Azerbajxhani e cilësoi miratimin e vendimit të Kuvendit Kombëtar të Francës, që i ka bërë thirrje qeverisë për të njohur të ashtuquajturën Republika e Karabakut Malor, si një veprim provokues dhe armiqësor ndaj Azerbajxhanit.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Ambasada e Azerbajxhanit në Paris, bëhet e ditur se miratimi i vendimit në Kuvend është një shenjë se Franca bën shpifje dhe fushatë histerike kundër Azerbajxhanit që prej 27 shtatorit. Në deklaratë, e cila e ka përshkruar këtë si një veprim provokues dhe armiqësor kundër Azerbajxhanit, theksohet se Kuvendi po përpiqej të mbrojë qëndrimet pro armene mbi baza krejtësisht të gabuara.

Gjithashtu në deklaratë nënvizohet se njerëzit me origjinë të ndryshme fetare dhe etnike jetojnë së bashku në harmoni dhe paqe në Azerbajxhan, prandaj përpjekjet për të treguar se konflikti midis Azerbajxhanit dhe Armenisë është një konflikt ndërfetar është i gabuar dhe i papranueshëm.

Ambasada azerbajxhanase theksoi se vendimet e marra nga Kuvendi dhe Senati për Karabakun Malor bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe angazhimet ndërkombëtare të Francës. Nga ana tjetër, duke bërë të ditur se Kuvendi nuk ka marrë një vendim në lidhje me shkeljen e të drejtave themelore të njeriut në Karabakun malor nga ana e ushtrisë armene që nga viti 1991, kjo tregon se pozicioni i Kuvendit është i njëanshëm.

Në deklaratë, u theksua se me këtë vendim, reputacioni dhe besueshmëria e Francë si ndërmjetësuese ka marrë një goditje të rëndë dhe vendimi do të rrisë tensionin në marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Francës.

Kuvendi Kombëtar i Francës miratoi dje vendimin që i bën thirrje qeverisë franceze që të njohë të ashtuquajturën Republika e Karabakut Malor. Senati gjithashtu miratoi një vendim në këtë drejtim më 25 nëntor.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB) Karabaku Malor konsiderohet territor i Azerbajxhanit.



Lajme të ngjashme