AOHR-ja dënon vendimin e qeverisë franceze për të inspektuar xhamitë në vend

Organizata Arabe për të Drejtat e Njeriut (AOHR) dënoi të premten vendimin e qeverisë franceze për të inspektuar xhamitë në vend.

1539546
AOHR-ja dënon vendimin e qeverisë franceze për të inspektuar xhamitë në vend
fransa cami paris buyuk cami.jpg
Fransa cami kontrol 02.jpg
Fransa cami kontrol 03.jpg

Përmes një deklarate me shkrim, AOHR-ja me seli në Britaninë e Madhe i bën thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të mos heshtë kundër politikave të ashpra që qeveria franceze po zbaton kundër myslimanëve.

“Që prej 16 tetorit e këtej, qeveria franceze ka filluar fushata arrestimesh kundrejt myslimanëve dhe në këtë suazë ka mbyllur mbi 20 xhami”, thuhet në këtë deklaratë, ku theksohet se kjo situatë nxit edhe më tej urrejtjen në Francë edhe në vende të tjera.

Duke dënuar vendimin e qeverisë franceze për inspektimin e xhamive në vend, AOHR-ja paralajmëroi se “presioni sistematik” që aplikohet ndaj myslimanëve nxit urrejtjen dhe kërcënon paqen e sigurinë shoqërore në të gjithë Evropën.

Gjithashtu në deklaratë dënohet njoftimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Francës, Gerald Darmain, lidhur me inspektimin e 76 xhamive në vend.

AOHR-ja thekson se politika e Parisit zyrtar kundër arabëve dhe myslimanëve nxit armiqësinë ndaj myslimanëve në përgjithësi, shton sulmet dhe është në përputhje me politikat e ekstremit të djathtë, i cili bën thirrje për zbatimin e kontrollit të rreptë dhe kërkon mbylljen e xhamive.

“Politika e qeverisë franceze shkel normat e BE-së, vendimet e gjykatave të BE-së dhe ligjet ndërkombëtare që mbështesin lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes dhe lirinë e besimit/adhurimit. U bëjmë thirrje autoriteteve franceze që t'i trajtojnë myslimanët në mënyrë të barabartë, në përputhje me ligjet vendore e ndërkombëtare dhe që qeveria franceze të heqë dorë nga qasjet e periudhave «mesjetare dhe koloniale»”, thuhet mes të tjerash në këtë deklaratë.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, njoftoi të enjten se do të inspektohen 76 xhami në vend.

“Do të inspektohen nëse janë apo jo shkolla të lidhura me xhamitë dhe shkolla për Kuranin, nëse radikalizohen apo jo imamët. Gjithashtu do të inspektohet menaxhimi i xhamive dhe burimi i financave të tyre”, pati thënë Darmanin.

Presionet dhe bastisjet ndaj xhamive e shoqatave myslimane në Francë janë rritur ndjeshëm që pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty më 16 tetor.

Në një deklaratë më 3 nëntor, ministri Darmanin bëri të ditur se që nga fillimi i mandatit të Presidentit Emmanuel Macron e deri më tani, në 3 vitet e fundit janë mbyllur 43 xhami.

Me projekt ligjin mbi “Separatizmin Islamik” që administrata Macron ka hartuar dhe do t'ia paraqesë Këshillit të Ministrave më 9 dhjetor, synohet inspektimi më i rreptë i financave të xhamive, rritja e kontrollit ndaj shoqatave myslimane me anë të presionit ndaj myslimanëve, si dhe parandalimi i mbërritjes së klerikëve nga jashtë vendit.



Lajme të ngjashme