Trump i hap rrugën tranzicionit presidencial

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë hapin e parë të tranzicionit për administratën Biden duke rekomanduar administratoren e GSA-së, Emily Murphy për të filluar protokollet fillestare.

1533339
Trump i hap rrugën tranzicionit presidencial

 

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka ndërmarrë hapin e parë të tranzicionit për administratën e Joe Biden dhe ka shkruar për këtë edhe në profilin e tij «Twitter», ku vlerëson zgjedhjet presidenciale që përfunduan me fitoren e Biden më 3 nëntor.

Trump ka shprehur mirënjohjen e tij për Emily Murphy, administratorja e Administratës së Shërbimeve Qeveritare (GSA) në ShBA, institucioni gjysmë-autonom i qeverisë federale dhe përgjegjës për procedurat e tranzicionit presidencial dhe organizimin midis institucioneve federale. Presidenti Trump ka deklaruar se Murphy ishte përballur me provokime dhe kërcënime për të mos filluar deri më sot procesin e tranzicionit për administratën e Bidenit.

Kauza jonë për zgjedhjet [presidenciale] mbetet e fortë. Ne do ta vazhdojmë luftën tonë dhe besoj se do të fitojmë, por për të mbrojtur interesat e vendit tonë, unë i rekomandova Emily dhe ekipit të saj të fillonin procedurat e para për tranzicionin. Të njëjtën gjë i kam thënë edhe ekipit tim”,- ka shkruar Trump.

Nga ana tjetër, administratorja e GSA-së, Emily Murphy i ka dërguar një letër Biden për të filluar procesin e tranzicionit.

Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve të 59-të presidenciale më 3 nëntor, Biden siguroi 306 delegatë, ndërsa Trump mbeti me 232. Me pretendimet për mashtrim të gjerë me votat, Trump deklaroi se ai nuk i pranon rezultatet dhe ndoqi rrugën e ankimit ligjor.

Ndërkohë, Këshilli Zgjedhor i Miçiganit deklaroi se kandidati i demokratëve, Joe Biden e la prapa Donald Trump në këtë shtet. Rezultatet u verifikuan në 83 rajone në Michigan dhe kështu u zyrtarizua fitorja e Biden në këtë shtet.

Ekipi zgjedhor i Trumpit ishte ankuar në gjykatë për rezultatin zgjedhor në Miçigan, një nga shtetet me rëndësi kritike për fatin e zgjedhjeve presidenciale dhe ku Biden ka siguruar më shumë se 150.000 vota, por nuk kishte marrë ndonjë përgjigje pozitive nga ky ankim.

 


Lajme të ngjashme