SHBA – Rinumërim i pjesshëm i votave në shtetin Uiskonsin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ngritur një procedurë për rinumërimin e votave në qarqet Miluoki dhe Dejn të Uiskonsinit, një nga shtetet kritike të garës presidenciale.

1530658
SHBA – Rinumërim i pjesshëm i votave në shtetin Uiskonsin

Edhe pse fitues i zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në SHBA më 3 nëntor doli kandidati demokrat, Joe Biden, sipas rezultateve jozyrtare, Trumpi vazhdon të këmbëngulë se në zgjedhje ka pasur mashtrime dhe se ai është fituesi i vërtetë.

Trumpi pretendon se në Miluoki dhe Dejn ka pasur parregullsi të mëdha në votim. Ai gjithashtu ka paguar shumën prej 3 milionë dollarësh të kërkuar nga ky shtet për rinumërimin e votave.

Ekipi i fushatës elektorale të Presidentit Trump aludon se një numër votash të ardhura me postë janë ndryshuar dhe se disa ligje votimi janë anashkaluar në këto qarqe.

Sipas rezultateve jozyrtare, Bideni është fituesi i zgjedhjeve në shtetin e Uiskonsinit me 10 delegatë duke marrë 20.608 vota më shumë sesa Trumpi.

Për të qëndruar në Shtëpinë e Bardhë, Trumpit i duhet të përmbysë rezultatet në të paktën 3 shtete, për të arritur pragun e 270 votave të Kolegjit Elektoral.

Njerëzit e kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë po vëzhgojnë rinumërimin manual në shtetin e Gjeorgjisë, me shpresë që ky proces të fshijë epërsinë e Bidenit me 14 mijë vota më shumë.

Shtetet përballen me afatin e 8 dhjetorit për të certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, përpara votimit zyrtar të Kolegjit Zgjedhor më 14 dhjetor.

Ndërkaq, një sondazh i Universitetit “Monmouth” të Nju-Xhersit tregoi se 34% e amerikanëve janë më të lumtur nga humbja e Presidentit Donald Trump sesa nga fitorja e rivalit të tij demokrat, Joe Biden. Vetëm 25% e qytetarëve të SHBA-së janë të kënaqur nga fitorja e Bidenit. Kurse 41% e tyre nuk shprehën asnjë mendim rreth çështjes në fjalë.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica e amerikanëve besojnë që zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit u zhvilluan në mënyrë të drejtë, edhe pse shumica e votuesve të Trumpit mendojnë se fitorja e Bidenit është për shkak të mashtrimit.



Lajme të ngjashme