SHBA përfshijnë 49 organizata dhe ministrin e Inteligjencës së Iranit në listën e sanksioneve

SHBA kanë shtuar 49 organizata iraniane në listën e sanksioneve, përfshirë edhe Fondacionin Mostazafan të Revolucionit Islamik (Bonyad Mostazafan) të kontrolluar nga udhëheqësi iranian, Ayatullah Ali Khamenei.

1530500
SHBA përfshijnë 49 organizata dhe ministrin e Inteligjencës së Iranit në listën e sanksioneve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shtuar 49 organizata iraniane në listën e sanksioneve, përfshirë Fondacionin Mostazafan të Revolucionit Islamik (Bonyad Mostazafan) të kontrolluar nga udhëheqësi iranian, Ayatullah Ali Khamenei dhe nëntë persona, në mesin e të cilëve edhe ministri i Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane Mahmoud Alavi.

Në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se në shënjestër janë marrë rrjeti i gjerë i patronazhit të udhëheqësit të Iranit Khamenei dhe ministri i Inteligjencës dhe Sigurisë Alavi.

Deklarata vuri në dukje se Zyra për Mbrojtjen e Pasurive të Huaja (OFAC) i ka shtuar listës së sanksioneve Fondacionin Mostazafan të Revolucionit Islamik, i cili është nën kontrollin e liderit iranian Khamenei dhe është i vendosur në sektorë kryesorë të ekonomisë së Iranit si financat, energjia, ndërtimit dhe minierat.

“Fondacioni me sa duket është një fondacion bamirës për të ndihmuar të varfrit”, thuhet në deklaratë, ndërsa bëhet e ditur se ai u përdor nga Khamenei për "pasurimin e zyrës së tij, shpërblimin e aleatëve politikë dhe përndjekjen e armiqve të regjimit".

“Alavi u vendos gjithashtu në listën e sanksioneve për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe dikasteri i tij luajti një rol qendror në këto shkelje kundër qytetarëve të regjimit iranian, duke përfshirë protestat e vitit 2019”, bëhet e ditur në mes të tjerash në deklaratë.

Lista e sanksioneve e publikuar nga Departamenti i Thesarit përfshin 9 persona dhe 49 organizata, si dhe 1 anije mallrash.

Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Steven Mnuchin në një deklaratë ka thënë se "Udhëheqësi i Iranit po përdor Fondacionin Bonyad Mostazafan për të shpërblyer aleatët e tij nën pretekstin e bamirësisë".

Mnuchin tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të synojnë zyrtarët kryesorë dhe burimet e të ardhurave që bëjnë të mundur presionin e vazhdueshëm të regjimit Iranian mbi popullin e tij.

 


Lajme të ngjashme