Politika e jashtme turke, më e pëlqyera në opinionin publik arab

Vendet për të cilat opinioni publik arab ka dhënë mendimin më të keq janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Rusia, Irani dhe Franca, kurse Turqia ka dalë vendi më i pëlqyer për politikën e jashtme që ndjek.

1530349
Politika e jashtme turke, më e pëlqyera në opinionin publik arab

“Qendra Arabe”, një “Think-tank” me seli në Uashington DC, ka përgatitur një raport duke kontaktuar me rreth 30 mijë njerëz nga Algjeria, Egjipti, Iraku, Jordania, Kuvajti, Libani, Mauritania, Maroku, Palestina, Katari, Arabia Saudite, Sudani dhe Tunizia në kuadër të studimit “Anketa e opinionit publik arab 2019-2020”.

Raporti merr në shqyrtim edhe këndvështrimin e opinionit publik arab ndaj politikave të brendshme në vendet e tyre, edhe mendimet e tyre për politikat e fuqive rajonale.

Pjesëmarrësit në anketë dhanë mendim negativ në raportin 58% ndaj politikave të jashtme të fuqive rajonale dhe globale në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Vendet për të cilat opinioni publik arab ka dhënë mendimin më të keq janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Rusia, Irani dhe Franca, kurse Turqia ka dalë vendi më i pëlqyer për politikën e jashtme që ndjek.

Nga pjesëmarrësit në anketë, 58% kanë shprehur opinion “pozitiv” për politikën e jashtme turke, kurse 28% kanë dhënë opinion “negativ”, dhe 14% nuk kanë shprehur asnjë mendim në lidhje me këtë çështje.

Turqia ndiqet nga Kina me 55% opinion “pozitiv” dhe Gjermania me 52%.

Nga ana tjetër anketa pati në fokus edhe reflektimin në opinion publik të qëndrimit të ShBA-së ndaj disa vendeve arabe.

81% e pjesëmarrësve në anketë janë kundër politikës amerikane në çështjen palestineze, 77% kanë opinion negativ ndaj politikës amerikane në Siri, 74% nuk pëlqejnë politikën e ShBA-së në Jemen dhe 70% janë kundër politikës amerikane në Libi.

Gjithnjë sipas anketës 89% e opinionit publik arab e shikon Izraelin si rrezikun më të rëndësishëm, 81% shikon ShBA-në dhe 67% vlerësojnë si rrezikun më të madh të jashtëm Iranin.

 


Lajme të ngjashme