SHBA – Trump humbet gjyqin për zgjedhjet në Pensilvani, shkarkon shefin e sigurisë kibernetike

Ekipi zgjedhor i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka humbur procesin gjyqësor të ngritur në shtetin e Pensilvanisë me arsyetimin se në mënyrë “kundërligjore” nuk është lejuar të hyjë në qendrat e numërimit të votave.

1529918
SHBA – Trump humbet gjyqin për zgjedhjet në Pensilvani, shkarkon shefin e sigurisë kibernetike

Gjykata e Lartë e Pensilvanisë diskutoi padinë e ekipit të Trumpit për vëzhguesit republikanë që nuk u pranuan “ilegalisht” në qendrat e numërimit të votave në Filadelfia, qyteti më i madh i shtetit të Pensilvanisë.

Me 2 vota “pro” dhe 5 “kundër”, gjykata vendosi që nuk ka një rregull të prerë se ku do të qëndrojnë vëzhguesit në Filadelfia dhe se këto rregulla janë lënë në iniciativën e rajoneve.

Ky vendim i dha ekipit të fushatës elektorale të Trumpit humbjen në këtë çështje, e cila ishte me rëndësi të madhe për ta.

Ndërkaq, presidenti amerikan shkarkoi të martën kreun e agjencisë federale që garantoi besueshmërinë e zgjedhjeve të vitit 2020.

Ai e shkarkoi drejtorin e Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, Christopher Krebs, përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, duke thënë se deklarata e tij e fundit në mbrojtje të sigurisë së zgjedhjeve ishte “shumë e pasaktë”.

“Deklarata e fundit nga Chris Krebs mbi sigurinë e Zgjedhjeve 2020 ishte shumë e pasaktë, pasi ka pasur parregullsi dhe mashtrime masive – përfshi këtu persona të vdekur që votuan, vëzhgues të zgjedhjeve që nuk u lejuan të futeshin në qendrat e votimit, «gabime» në makineritë e votimit që ndryshuan votat nga Trump për Biden, votim i vonë dhe shumë më tepër. Prandaj, në fuqi menjëherë, Chris Krebs është shkarkuar si drejtor i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës”, shkroi ai në “Twitter”.

Sipas rezultateve jozyrtare, fitues i zgjedhjeve 59. presidenciale të 3 nëntorit 2020 në SHBA është kandidati demokrat, Joe Biden; ndërsa Presidenti aktual dhe kandidati republikan, Donald Trump, pretendon se në zgjedhje janë bërë “manipulime” dhe se fituesi i vërtetë është ai vetë.

Nga ana tjetër, Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, realizoi me videokonferencë të martën një takim me këshilltarët e tij të sigurisë kombëtare, por jo me ekspertë qeveritarë të zbulimit, pasi Presidenti Trump vazhdon të bllokojë procesin e tranzicionit të demokratëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas ekipit të tranzicionit, Bideni dhe ndihmëspresidetja e zgjedhur, Kamala Harris, po diskutojnë me ekspertët e tyre, të cilët realisht janë ish-zyrtarë të sigurisë dhe ish-ambasadorë, mbi çështje botërore në fushën e diplomacisë, zbulimit dhe mbrojtjes.



Lajme të ngjashme