NATO: Tërheqja e hershme e SHBA-së nga Afganistani mund të ketë një çmim shumë të lartë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të martën se çmimi i largimit të hershëm ose të pakoordinuar të trupave amerikane nga Afganistani mund të jetë shumë i lartë.

1529367
NATO: Tërheqja e hershme e SHBA-së nga Afganistani mund të ketë një çmim shumë të lartë

Ky vlerësim i Stoltenbergut erdhi gjatë daljeje publike në lidhje me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të zvogëluar numrin e trupave në Afganistan.

Ai tha se Aleanca është në kontakt të ngushtë me SHBA-në për misionin e saj në Afganistan.

“Tani po përballemi me një vendim të vështirë. Ne kemi gati 20 vjet që jemi në Afganistan dhe asnjë anëtar i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë se ç'është e nevojshme. Por, në të njëjtën kohë, çmimi i largimit të hershëm ose të pakoordinuar mund të jetë shumë i lartë. Afganistani rrezikon edhe një tjetër herë të bëhet një platformë, ku terroristët ndërkombëtarë mund të planifikojnë dhe organizojnë sulmet e tyre. DAESH-i gjithashtu mund të rindërtojë në Afganistan shtetin terrorist që humbi në Irak dhe Siri”, paralajmëroi shefi i NATO-s.

Stoltenberg vuri në pah edhe se Aleanca e ka reduktuar ndjeshëm praninë e saj në Afganistan në mënyrë që të mbështesë procesin e paqes në këtë vend.

“Aktualisht ka më pak se 12.000 trupa të NATO-s në Afganistan. Më shumë se gjysma e tyre nuk janë ushtarë amerikanë. Edhe nëse SHBA-ja tërheq trupa, NATO-ja do të vazhdojë të trajnojë, këshillojë dhe ndihmojë forcat afgane të sigurisë”, saktësoi ai.

Presidenti amerikan, Donald Trump, po përgatitet këtë javë që të urdhërojë tërheqjen e më shumë trupave nga Afganistani dhe Iraku.

Burime amerikane të sigurisë njoftuan se Pentagoni ka paralajmëruar komandat e trupave amerikane në këto dy shtete që planifikon të ulë numrin e ushtarëve në 2.500 nga 4.500 në Afganistan brenda 15 janarit dhe në 2.500 nga 3.000 në Irak.

Kujtojmë se trupat amerikane ndodhen në Irak që prej rrëzimit të Saddam Husseinit dhe misioni i tyre është stabilizimi i vendit dhe kthimi në normalitet.



Lajme të ngjashme